ZK1A1245

Ka përfunduar Konferenca Ndërkombëtare “Islami dhe Paqja Globale”, e zhvilluar në Tiranë nga Komuniteti Mysliman të Shqipërisë dhe Universiteti Bedër, në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane dhe Delegacionin e BE-së në Shqipëri.

Të shumta ishin gjykimet pozitive mbi këtë ngjarje të rëndësishme kulturore, e cila mblodhi një numër të madh studiuesish dhe akademikësh vendas dhe të huaj, të cilët referuan mbi terrorizmin dhe dhunën në këndvështrimin islam, perspektivat e paqes globale dhe rolin që Shqipëria mund të ofrojë në këtë drejtim.

Kjo konferencë, për sa u projektua dhe për objektivat që përcaktoi, kontribuoi në njëfarë mënyre për të vendosur disa piketa në rrugën e dialogut ndërmjet kulturave të ndryshme religjioze.

Duhet theksuar se konferenca shërbeu gjithashtu si një pikëtakim i rëndësishëm ku studiues dhe ekspertë të fushës së religjionit, por jo vetëm, të ardhur nga SHBA, Italia, Arabia Saudite, Egjipti, Turqia, Kosova, Maqedonia, Serbia, Kroacia, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina, etj, u përpoqën të kontribuojnë sadopak me njohuritë e tyre në analizën e situatës aktuale dhe ofrimin e zgjidhjeve praktike për kultivimin e mirëkuptimit dhe dialogut ndërfetar.

Gjatë konferencës u theksua gjithashtu se një ndër vlerat kryesore me të cilat është përforcuar mesazhi i Profetit Muhamed është respektimi i parimit të pluralizmit, diversitetit dhe lirisë, diversitetit të feve dhe besimeve, etnive dhe racave të ndryshme, kulturave dhe civilizimeve të ndryshme.

Çdo përpjekje për konfiskimin e parimit të pluralizmit, diversitetit dhe lirisë, është një përpjekje jo islame dhe nuk shpreh Islamin e saktë edhe nëse praktikuesi i kësaj përpjekjeje është prej pasuesve të këtij të fundit, këto praktika mbeten larg esencës së Islamit dhe vlerave të tij.

Kryetari  i Komunitetit Mysliman, z. Skender Bruçaj,  në mbyllje falënderoi Ambasadën e Shteteve të Bashkuara dhe Delegacionin e BE-së në Shqipëri për këtë bashkëpunim të frytshëm, si dhe referuesit vendas e të huaj për nivelin e tyre shkëlqyer.

Bruçaj evidentoi disa nga arritjet e kësaj konference të rëndësishme, duke vlerësuar faktin se shumë probleme sot mund të marrin lehtësisht zgjidhje përmes dialogut dhe paqes njëri me tjetrin.

“Gjej rastin t’ju drejtoj të gjithëve me shumë mirënjohje një falënderim të sinqertë për pjesëmarrjen, duke shpresuar dhe besuar se punimet dhe opinionet tuaja do t’i vlejnë qëllimit fisnik të kësaj veprimtarie”, tha në përmbyllje të konferencës Kryetari i KMSH-së, z. Skender Bruçaj.

Pas seancës së hapjes u zhvilluan dy sesione shkencore dhe një seancë speciale me përfaqësuesit e bashkësive islame të Ballkanit Perëndimor.

Në sesionin e parë të moderuar nga nënkryetari i Komunitetit Mysliman z. Ali Zaimi, u trajtuan temat: “Qëndrimi i Islamit ndaj dhunës dhe terrorit”, Prof. dr. Ihsan Yilmaz; “Islami dhe paqja globale – origjina praktika dhe rrugëdalja”, Prof. As. dr. Ahmet Ecirli; Strategjia e Islamit në ndërtimin e paqes në botë – duke pasur si referencë mendimin e Fethullah Gylen”,  Prof. dr. Mohamad Sharkawi; “Dialogu ndërfetar, rruga drejt paqes, Prof. dr. Ambrogio Bongiovani.

Ndërsa në sesionin e dytë të moderuar nga rektori i Universitetit Bedër, Dr. Ferdinand Gjana, u trajtuan temat: “Respekti ndaj të shenjtës dhe qëndrimi kundrejt mosrespektimit të së shenjtës nën dritën e Kuranit dhe traditës profetike”, Dr. Atakan Derelioglu; “Përfshirja që i bën Islami feve të ndryshme dhe diversitetit të qytetërimeve”, Prof. dr. Sherif Hatim Avni; “Toleranca fetare shqiptare – si vlerë historike dhe virtyt i Republikës Demokratike”, Prof. dr. Gjergj Sinani.

Ndërsa në seancën speciale të moderuar nga Kryetari i Komunitetit Mysliman z. Skender Bruçaj, referuan Resul Rexhepi sekretar i kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Mevlud Dudiç, Kryetar i Bashkësisë Islame të Serbisë, Hajrudin Mujkanoviç, përfaqësus nga Bashkësia Islame e Kroacisë.

ZK1A1152

ZK1A1172

 

ZK1A1034 ZK1A1080 ZK1A1087

ZK1A1293