Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, priti sot në një takim pune Sekretarin e Përgjithshëm të Kryqit të Kuq Shqiptar, z. Artur Katuçi dhe znj. Blerta Ndrekaj, Koordinatore e Përgjithshme e projektit, “Dhurimi vullnetar i gjakut”.

Gjatë bashkëbisedimit ndërmjet palëve, z. Katuçi, shprehu falenderimet dhe mirënjohjet e tij për Komunitetin Mysliman në angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm në dhurimin e gjakut për njerëzit në nevojë, kryesisht fëmijët talasemik.

Ndërsa Kryetari Spahiu, vlerësoi punën e deritanishme të Kryqit të Kuq Shqiptar si angazhim të një rëndësie të veçantë në përmbushjen e nevojave specifike në mbarëvajtjen e shoqërisë tonë.

Një tjetër pikë e takimit ishte edhe diskutimi mbi zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në jetësimin e projekteve të tjera të dhurimit të gjakut nga institucionet në varësi të KMSh-së, projekte të ngjashme me fushatën tashmë të kthyer në traditë të KMSh-së për dhurimin e gjakut.

Bashkëbisedimi vijoi më tej mbi nevojat aktuale të shoqërisë tonë dhe problematikat e hasura në sigurimin e gjakut për kategoritë në nevojë.

Gjatatë këtij takimi, Kryetari Spahiu, u shoqërua nga Myftiu i Tiranës, Lauren Luli, Drejtori i Çështjeve Sociale z. Edvin Kuçi dhe Drejtori Kabinetit, z. Ejup Lila.