Komunitetit Mysliman i Shqipërisë ka organizuar edhe këtë vit ritualin i Haxhit. Të gjithë haxhinjtë nga Shqipëria kanë mbërritur në në hotele dhe janë akomoduar.

Haxhinjtë konsiderohen si “mysafirët e Allahut xh.sh” dhe siç shihet edhe në fotot e mëposhtme edhe vendasit i mirëpresin me buzëqeshje dhe lule në hotelet e prenotuara nga KMSH.

Numri i haxhinjve nga Shqipëria vjen çdo vit në rritje. Këtë vit janë rreth 430 haxhinj në vendet e Shenjta.

Komuniteti Mysliman bën një organizim të detajuar të këtij “peligrinazhi shpirtëror”. Duke filluar që nga nisja në aeroportin e Rinasit, akomodimi në hotele në Meke dhe Medine, ushqimi, transporti i përditshëm në Qabe, në vendet e shenjta si në Mina, Arafat, Muzelife, Xhamarat, etj.

Pas përfundimit të haxhit, i cili këtë vit është në datën 11 gusht, haxhinjtë nisen për në Medine. Në këtë qytet vizitohet Xhamia e Profetit Muhamed a.s, ku haxhinjtë shkojnë dhe përshëndesin me selam Profetin a.s.

Vizitat vazhdojnë në Xhaminë Kuba, xhami në ndërtimin e të cilës vetë Profeti a.s ka marrë pjesë fizikisht dhe më pas  vazhdohet me vizita në Xhaminë Kibletejn.

Uhudi është një nga destinacionet e radhës, në përkujtim të të rënëve (shehidëve) atje në betejën e njohur e cila ka marrë edhe emrin e malit rrëzë të cilit është zhvilluar (beteja e Uhudit).

Stafi organizativ i këtij udhëtimi drejtohet nga Myftiu i Tiranës z. Lauren Luli, i cili ka në përbërje të tij murshidët (ciceron) të cilët merren me çdo detaj të nevojshëm për mbarvajtjen e këtij peligrinazhi.

Murshidët kujdesen që nga shoqërimet e vazhdueshme në Qabe, në vendet e shenjta dhe ndjekjen me përpikmëri të riteve fetare nga haxhinjtë e rinj.

Gjithashtu pjesë e stafit janë edhe dy mjekë, të cilët janë në gadishmëri të haxhinjve për çdo problem shëndetësor që mund të paraqitet, si dhe japin këshillat e nevojshme  për  të  përballuar  më lehtë temperaturat e larta në këto vende.

Haxhi është një prej shtyllave të fesë islame. Vizitat në vendet e shenjta, adhurimet, prekja nga afër e vendit ku u lind, u rrit dhe zhvilloi aktivitetin e tij profeti ynë i dashur Muhamedi a.s është një kënaqësi e papërshkrueshme. Është vendi ku nocioni “barazi” midis njerëzve merr kuptimin e tij më të plotë!

Atje të gjithë janë njëlloj përpara Allahut. Veshja karakteristike, “ihrami” i haxhinjve, e bën të pamundur ndarjen klasore apo statusin social midis njerëzve.  Haxhinjtë janë të gjithë të barabartë, dhe sipas profetit a.s “Më i miri prej jush është më i devotshmi ndaj Allahut”.

Ne lutemi që Allahu t’ia pranojë haxhin çdo myslimani, lutemi që haxhinjtë tanë të kthehen shëndoshë e mirë dhe me mëkate të falura nga ky peligrinazh. Çdonjëri prej nesh është nevojtar për lutje, shpresojmë që lutjet e haxhinjve  për familjet e tyre, për ne dhe për Shqipërinë të jenë të pranuara te Allahu!

Lutemi që Allahu t’ia mundësojë çdo besimtari këtë udhëtim, i cili quhet ndryshe edhe “udhëtimi i jetës”! Një jetë e re fillon për çdo njeri të cilit Allahu i ka pranuar haxhin. Një jetë me mëkate të falura është një jetë e re! Allahu ua pranoftë haxhin dhe lutjet gjithë besimtarëve shqiptar që ndodhen në vendet e shenjta!