Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përmes një shkrese zyrtare i ka dërguar ministres së arsimit znj. Lindita Nikolla një kërkesë për rishikim të teksteve shkollore ku trajtohen çështjet fetare Islame, për të cilat në disa raste janë konstatuar edhe gabime.

“Gjatë këtyre ditëve qarkullon në mediat e komunikimit një pasaktësi e dallueshme në tekstet shkollore të miratuar nga Ministria e Arsimit, i cili ngjall zemërim te besimtarët myslimanë. Përkatësisht; në faqen 109 të Sociologjisë, Klasa 11, e  mesme, me autor: Fatos Tarifa, Klementim Mile, dhe Flora Gjoka. ISBN 978-99956-93-10-7, ku citohet: “Allahu është i vetmi Zot dhe Muhamedi është biri i tij.

Gjuha e përdorur në tekstin shkollor nuk është korrekte në kontekstin e asaj që përfaqëson besimi Islam, në besimin në një Zot të vetëm dhe Muhamedi është i dërguari i Tij, dhe JO biri i tij dhe rrjedhimisht është i pasaktë.

Ju kujtojmë se, përsa i përket botimit të teksteve shkollore që kane lidhje me çështje fetare, Komunitetin Mysliman të Shqipërisë është i gatshëm të ofrojë konsulencën e duhur komisionit të miratimit të teksteve shkollore.

Nisur nga kjo, kërkojmë nga ana juaj korrektimin e gabimit në fjalë”, thuhet në kërkesën e KMSH-së.

Pas dërgimit të kërkesës, Ministria e Arsimit dhe Sportit, është përgjigjur përmes një shkrese zyrtare të dërguar Komunitetit Mysliman, ku thuhet se janë marrë masat menjëherë dhe është bërë rishikimi.

“Menjëherë kemi kontaktuar me botuesin “Mediaprint”, botues të cilit i takon teksti “Sociologjia 11”, në të cilin është konstatuar pasaktësia… Ky botues ka marrë masat, duke rishtypur faqen ku është konstatuar pasaktësia dhe duke organizuar shpërndarjen e saj në shkallë vendi, te të gjithë nxënësit që janë pajisur më këtë tekst”, thuhet në shkresën e Ministrisë së Arsimit.

FAKSIMILE E TEKSTIT TË KORIGJUAR
FAKSIMILE E TEKSTIT TË KORIGJUAR