Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton të gjithë besimtarët se Xhamia e Et’hem Beut në Tiranë, Xhamia e Pazarit në Gjirokastër, Xhamia e Beqarëve dhe Xhamia Mbret në Berat, duke filluar nga sot, nuk do të jenë më në funksion të besimtarëve për të kryer ritet e tyre fetare.

Në xhamitë e lartpërmendura sot do të falet Xhumaja e fundit dhe me pas ato do t’i nënshtrohen një restaurimi të plotë në bazë ta marrëveshjes që KMSH ka firmosur me Ministrinë e Kulturës.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë kërkon mirëkuptimin e besimtarëve për mosfunksionimin e këtyre xhamive gjatë kohës së restaurimit.

Këto xhami kanë një vlerë të veçantë, jo vetëm për besimtarët myslimanë por për të gjithë shqiptarët, pasi ato janë pjesë e historisë, e kulturës dhe e trashëgimisë tonë të përbashkët. Qëllimi i restaurimit është ruajta e identitetit dhe trashëgimisë kulturore që përfaqëson secila xhami, në mënyrë që edhe brezat e ardhshëm t’I trashëgojnë me të gjitha vlerat dhe elementët që këto xhami përfaqësojnë.