Në kuadër të nismës së takimeve dhe njohjeve me besimtaret nëpër rrethe të ndryshme të Shqipërisë, përfaqësues të Zyrës së Gruas, zhvilluan një takim më datë 14 Shkurt 2015, me gratë e Durrësit.

Takimi u hap me lexim Kur’ani dhe më pas përgjegjësja e Zyrës së Gruas znj. Fatma Karaji në fjalën e saj theksoi se institucioni më i rëndësishëm që ekziston në shoqërinë njerëzore është familja, e bazuar mbi një çift. “Familja është gjithashu institucioni ku çdo grup shoqëror ia përcjell gjeneratës së re parimet morale, përgjegjësinë, mirësjelljen dhe ndihmën reciproke midis njerzve.”

“S’ka dyshim se të gjithë sociologët, pedagogët, mjekët dhe shkencëtarë tjerë që u morën me këtë lëmi janë të mendimit se familja është faktor i rëndësishëm për edukimin e fëmijës, andaj me të drejtë thuhet se një shoqëri e shëndoshë, dhe e emancipuar është vetëm atëherë kur kemi familje të shëndoshë dhe të edukuar mirë.”, tha më tej znj. Karaj.

Ndërsa Ana Haxhiu specialiste e Zyrës së Gruas foli rreth dhunës ndaj gruas dhe llojeve të saj, teksa tha se një familje e dhunuar, apo që jeton nën  presionin e dhunës, sjell një shoqëri me probleme të mëdha sociale. Ndër të tjera ajo theksoi: “Gratë e dhunuara e ndjejnë veten fajtore për dhunën që pësojnë, por në të vërtetë ato nuk janë fajtore. Përkundrazi, dhunuesi është i vetmi që duhet të ndihet i tillë dhe është ai që duhet të fillojë ndryshojë.”

lajm (1) lajm (3)