Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, sëbashku me Ambasadorin e Arabisë Saudite në Tiranë, z. Fajsal Gazi Hifdhi, përcollën mbrëmjen e sotme grupin e parë të haxhijve prej 150 besimtarësh në aeroportin e Rinasit.
Në takimin e zhvilluar me ta, Kryetari Spahiu, iu uroi besimtarëve haxh të pranuar si dhe kërkoi nga ana e tyre lutje për mirëqenien morale e materiale të vendit tonë. Ai gjithashtu i siguroi ata për një organizim të denjë nga ana e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Ndërsa Ambasadori, z. Hifdhi, tha se Ministria e Haxhit në Mbretërinë e Arabisë Saudite, ka marrë të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e një rituali sa më të kënaqshëm për besimtarët që do të udhëtojnë drejt vendeve të shenjta për të kryer haxhin këtë vit. Po ashtu, ai uroi besimtarët që të kthehen me haxh të pranuar pranë familjeve të tyre.
Më tej, të dy të lartëpërmendurit, iu shpërndanë nga një trëndafil mysafirëve të Zotit.
Këtë vit, janë rreth 810 besimtarë që do të nisen nga Shqipëria për të kryer haxhin.
Allahu (xh.sh) u mundësoftë udhëtim të sigurtë!