Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Gazmend Aga ka përshëndetur fillimin e punimeve të simpoziumit të organizuar nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane, me temë: Tradita profetike, Imam Aliu dhe bektashizmi”.

Nënkryetari përgëzoi organizatorët dhe uroi që kumtesat e këtij simpoziumi të jenë sa më të suksesshme.

Aga tha së një pasues i vërtetë i Hz. Aliut është edhe pasues i Hz. Muhamedit. Kjo është arsyeja përse ne e quajmë njëri-tjetrin vëllezër në Shqipëri. KMSH dhe Kryegjyshata Bektashiane kanë jetuar si vëllezër prej shekujsh falë trashëgimisë esenciale të praktikuar natyrshëm të traditës profetike.

Nënkryetari i KMSH-së u shpreh se duhet të shtojmë dashurinë mes njëri-tjetrit dhe të respektojmë çdo gjë humane.

“Një besimtar është pasqyrim i besimtarit tjetër, na mëson Profeti Muhamed. Për një botë më të paqtë, për një shoqëri më të dashur me njëri-tjetrin, për një realitet ku të drejtat e njeriut të respektohen, për të pasur sa më shumë njerëz që duan krijesën për hir të Krijuesit, le ta shtojmë dashurinë midis nesh, dhe pasuesit e traditës profetike duhet të jenë shembulli frymëzues në vëllazëri e dashuri”.

“Jo vetëm ne si myslimanë, por besimi ynë i Islamit dhe tradita jonë, janë një frymëzim që respektojnë çdo gjë humane, pra të gjithë njerëzit pavarësisht identitetit që ata kanë. Ne besojmë se Allahu e ka dhënë diversitetin si një pasuri dhe trashëgimi të vyer të një bote shumëngjyrëshe ku të mbretërojë respekti, dashuria dhe mirësia”, tha ndër të tjera z. Aga.

20 mars 2017