Nënkryetari i KMSH-së, z. Taulant Bica mori pjesë në ceremoninë e fillimit të vitit të ri shkollor 2019-2020 në Medresenë e Tiranës. ku uroi të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit për një vit sa më të mbarë dhe plot suksese.

Nënkryetari i KMSH-së tha the se është kënaqësi dh nder të urosh vitin e ri shkollor nga një vatër dije si Medreseja e Tiranës.

“Dituria është një udhëzuese dhe orientuesja më e mirë e njeriut, sidomos kur ushqehet me vlerat e besimit. Medreseja me stafin e saj të përkushtuar ju jep një mundësi që të përgaditeni mendësisht dhe moralisht, për të qenë më vonë kontribuesit kryesorë të diturisë, moralit dhe besimit në familjen tuaj dhe në mbarë shoqërinë”, tha ndër të tjera nënkryetari i KMSH-së.

Ndërsa në fjalën e tij përshëndetëse drejtori i Medresesë së Tiranës, z. Ali Zaimi tha se dija dhe të mësuarit është vlerësuar e nxitur nga librat e shenjtë, profetët dhe nga më të shquarit e historisë njerëzore si dhe i uroi nxënësit për një vit të suksesshëm.

“Në ditën e parë të shkollës ju këshilloj që ta vlerësoni të sotmen në kuptimin e drejtpërdrejtë dhe të gjerë të fjalës. Dija dhe të mësuarit është vlerësuar e nxitur nga librat e shenjtë, profetët dhe nga më të shquarit e historisë njerëzore. Jam i bindur se duke ndihmuar njëri-tjetrin ne do të kemi shumë arritje. Ju do të na ndihmoni me vëmendje, me pyetje, me punë të përditshme dhe ne me stafin e mësuesve do t’ju ndihmojmë me gjithë përkushtimin tonë që të mësoni e të përgatiteni për sfidat e jetës”, tha ndër të tjera z. Zaimi

Gjithashtu viti i ri shkollor ka nisur sot edhe në Medresenë e Shkodrës “H. Sheh Shamia”, Medresenë e Kavajës “Hafiz Ali Korça”, Medresenë e Durrësit “Mustafa Varoshi”, Medresenë e Elbasanit, “Liria”, dhe Medresenë e Korçës “Abdullah Zëmblaku”.

Medresetë ofrojnë arsimim dhe edukim për ciklin 9-vjeçar dhe të mesëm.

Medresetë mundësojnë shkollimin e nxënësve në kushte bashkëkohore dhe me cilësi të lartë mësimdhënie. Medresetë njihen për suksesin e tyre në arenën kombëtare dhe atë ndërkombëtare. Në këto shkolla nxënësit kanë mundësinë e shkollimit cilësor duke ndërthurur shkencën me besimin.