[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=XC8-iWcE6g4&feature=youtu.be” width=”560″ height=”315″]


Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka uruar mbarë shqiptarët me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Përmes një mesazhi drejtuar mbarë shqiptarëve, nënkryetari Spahiu, bëri thirrje për forcimin e lidhjeve mes njëri-tjetrit, për një shoqëri më të mirë dhe më të lumtur shpirtërisht.

MESAZHI I PLOTË I URIMIT

Bismil-lahi Rrahmani Rrahim!

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Të nderuar besimtarë shqiptarë, kudo që ndodheni!

Më lejoni që në këto çaste të gëzuara të festës së Kurban Bajramit, festës së sakrificës dhe përkushtimit, t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta, paqe, lumturi dhe gëzim sjelltë në familjet, miqtë dhe të afërmit tuaj.

Nesër është Kurban Bajrami, festa që simbolizon,  sakrificën sublime të njeriut të përsosur, dhe shënjon kulmin e bindjes, besnikërisë dhe  dashurisë ndaj Allahut të plotfuqishëm.

Kuptimi i kurbanit dhe sakrificës në Islam, nuk qëndron në derdhjen e gjakut të një kafshe, por në aktin e bindjes. I Plotfuqishmi thotë: “Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por tek Ai arrin bindja juaj…”

Në këtë festë afrohen zemrat, harrohen urrejtjet, njerëzit shtrijnë dorën e pajtimit, ripërtërihen lidhjet shoqërore e njerëzore, me dashuri e sinqeritet, derisa çdo shtëpi dhe familje të mbushet me gëzim e hare.

Ky është edhe qëllimi i lartë shoqëror që mbart në vetvete feja Islame, një shoqëri e lumtur, ku çdo zemër të mbushet me dashuri, mirësi e kënaqësi.

Sa njerëz ka sot, që janë të zhytur në varfëri të thellë, e për shkak të mbrojtjes së nderit dhe dinjitetit nuk kërkojnë lëmoshë! Ne ndoshta i harrojmë, mirëpo të tillë kemi plot afër nesh. Kjo harresë nuk na bën ne të lumtur, nuk e bën shoqërinë më të mirë.

Prandaj, le ta tregojmë veten të vetëdijshëm gjatë festave tona dhe të ndiejmë atë që ndiejnë nevojtarët!

Le të pakësojmë dëfrimin dhe teprimin, e t’ua ofrojmë atyre që kanë nevojë.

Le t’i forcojmë dhe mbajmë lidhjet vëllazërore fuqimisht, jo vetëm gjatë ditëve të festave, por në çdo kohë.

Sot kur në qendrën e gjithësisë, në Mekë, po luten miliona njerëz për paqen dhe lumturinë e njerëzve, unë dëshiroj dhe i lutem Zotit te Madhëruar që kjo festë të sjellë në shtëpitë e shqiptarëve, më shumë mirësi, afrimitet dhe dashuri mes njëri-tjetrit, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit.

Zoti e bekoftë kombin dhe atdheun tonë.

PROGRAMI I KURBAN BAJRAMIT 24 Shtator 2015

06:45 – HAPJA
06:50 – LEXIM KURANI – ENES HYKA
06:55 – FJALA PËRSHËNDETËSE – BUJAR SPAHIU
07:05 – LIGJERATË – ELVIS NAÇI
07:10 – FALJA E NAMAZIT TË KURBAN BAJRAMIT
07:20 – HYBEJA E BAJRAMIT – YLLI GURRA
09:00 – PRITJET NË KMSH