bujari keshilltari arab

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, priti në një takim sot paradite dr. Abdullah F. Allhedan, këshilltar i ministrit për çështjet e fesë të Arabisë Saudite, pjesë e një delegacioni të lartë ndërministror i cili po qëndron në vendin tonë në kuadër të javës së kulturës arabe.  

Z. Spahiu pasi falënderoi zyrtarin saudit për vizitën, vlerësoi maksimalisht kontributin dhe mbështetjen e Mbretërisë së Arabisë Saudite ndaj Komunitetit Mysliman dhe shoqërisë shqiptare pas hyrjes së demokracisë. “Komuniteti Mysliman është mirënjohës për kontributin e shtetit dhe popullit tuaj ndaj institucionit, si  dhe për përkrahjen e pakursyer ndaj myslimanëve shqiptarë”, tha nënkryetari Spahiu.

Në vijim z. Spahiu e njohu këshilltarin Abdullah F. Allhedan me historikun e KMSH-së, riorganizimin e tij pas vitit 1991, si dhe arritjet dhe sfidat që e kanë shoqëruar atë gjatë këtyre viteve. “Gjatë regjimit të kaluar shumë prej objekteve tona qenë shkatërruar, mirëpo pas rithemelimit të institucionit në vitin 1991, falë vullnetit të drejtuesve dhe dëshirës së besimtarëve si dhe falë ndihmës së donatorëve nga vendet arabe, e ku një kontribut të madh ka padyshim Mbretëria e Arabisë Saudite, kemi arritur që të riparojmë objektet ekzistuese dhe të ngrejmë shumë të tjera”, tha z. Spahiu. Ai e njohu zyrtarin saudit edhe me arritjet e medreseve dhe universitetit “Bedër”, si dhe me larminë e veprimtarive të organizuara prej tij në gjallërimin e jetës fetare e kulturore islame në vend.

Gjatë takimit nënkryetari Spahiu foli edhe për bashkëpunimin ndërmjet Komunitetit Mysliman dhe Ministrisë së Çështjeve Fetare të Arabisë Saudite, duke kërkuar që ky bashkëpunim i frytshëm të vazhdojë dhe të forcohet akoma më shumë në të ardhmen.

Nga ana e tij, z. Allheedan, pasi e falënderoi z. Spahiu për pritjen e ngrohtë dhe informacionin e detajuar për veprimtarinë e KMSH-së, theksoi se vendi i tij përcjell me vëmendje zhvillimet e Islamit në Shqipëri dhe në mbarë rajonin. “Ne jemi të përkushtuar që të ndihmojmë e përkrahim Komunitetin  Mysliman në përmbushjen e misionit të tij fetar e shoqëror”, tha dr. Allheedan. Ndërsa, në lidhje me bashkëpunimin dypalësh, ai premtoi se ky bashkëpunim jo vetëm që do të rritet por do të shtrihet edhe në fusha të tjera me interes për institucionin.

Në fund të takimit, z. Spahiu i dhuroi z. Allheedan në shenjë respekti një punim artistik të xhamisë Et’hem Beu.

IMG_6275