Të drejtat e njeriut dhe demokracia ka qenë tema e seminarit të radhës me të rinjtë e Ndroqit, i cili u zhvillua pasditen e 25 shkurtit 2015.

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman z. Ali Zaimi, i pranishëm në këtë seminar u shpreh se të drejtat e njeriut janë parimet bazë, pa të cilat njerëzit nuk mund të jetojnë si qenie njerëzore me dinjitet.

“Të drejtat njerëzore përbëjnë bazën e lirisë, të drejtësisë dhe të paqes. Respektimi i tyre bën të mundur progresin e plotë të individit dhe të shoqërisë.”, tha z. Zaimi.

Ai shtoi më tej se zhvillimi i të drejtave të njeriut i ka rrënjët e veta në luftën për liri dhe barazi kudo në botë dhe se bazën e të drejtave të njeriut – siç është respekti për jetën e njeriut dhe dinjitetin njerëzor – e hasim në pjesën më të madhe të feve dhe të filozofive.

Ndërsa z. Servet Gurra, anëtar i Komitetin Shtetëror të Kulteve, u shpreh se parimet e demokracisë përbëjnë thelbin e mendimit në shoqëritë bashkëkohore, pasi ato vënë në qendër të vëmendjes njeriun, funksionimin e shtetit social, pjesëmarrjes aktive, mbështetjes dhe solidaritetit, dashurisë dhe respektit reciprok.

“Të jesh qytetar në një sistem demokratik, do të thotë të jesh i përgjegjshëm, pjesëmarrës aktiv, i kulturuar dhe tolerant”, tha z. Gurra.

Ai gjithashtu u shpreh se Islami, i çmon dhe i jep rëndësi të veçantë të drejtës së individit në shoqëri dhe nuk lejon nëpërkëmbjen e tyre nga të tjerët. “Profeti Muhamed (a.s.) thotë: “Myslimanë janë ata, prej duarve dhe gjuhëve të të cilëve myslimanët e tjerë janë të sigurt”, citoi z. Gurra.

Ndërsa Menaxheri i këtij Projekti z. Fejzi Shaholli u shpreh se në javët në vijim do të organizohen seminare me tema të tjera të rëndësishme si edhe aktivitete të ndryshme social kulturore.

lajmi (1) lajmi (2)  lajmi (4)ZK1A0015lajmi (3)