Më datë 19 mars 2018 u nda nga jeta materiale Haxhi Selim Stafa. Lajmi ishte i dhimbshëm për myslimanët shqiptarë, pasi jeta e tij është e lidhur me historinë e fesë islame në Shqipëri, sidomos në tri dekadat e fundit dhe njëherësh është monument në çdo fushë të aktivitetit dhe dinjitetit njerëzor të një njeriu që lindi, u rrit, punoi, kërkoi dhe jetoi vetëm për Allahun xh.sh. duke sakrifikuar veten për Të. Vitet e jetës së tij ecnin dhe kaluan, bardhësia i mbuloi fytyrën dhe kokën, pleqëria i erdhi, por nuk e mposhtën dot, sepse Fuqia e Allahut xh.sh. e rinonte gjithmonë që të ecte përpara në rrugën e shenjtë dhe madhështore të Islamit, për t’i treguar pasuesve se kjo është rrugë e drejtë, e vetmja dhe e vërteta, të treguar nga Allahu xh.sh. dhe të kultivuar nga Pejgamberi ynë a.s., pasuesit e tij etj. Haxhi Selim Stafa është me të vërtetë një trashëgues i rrugës së tyre. Allahu xh.sh. i dhuroi atij virtytet më të larta, cilësi këto që do të dëshironte t’i kishte çdo njeri. Si myfti i Tiranës, nënkryetar por edhe si kryetar i Komunitetit Mysliman, duke shkuar në çdo qytet, lagje e çdo fshat të Tiranës, por jo vetëm, ai mbante ligjërata fetare duke bërë që fjalët e tij të hynin në çdo shtëpi dhe në çdo zemër. Fjalët e tij ishin rreze që shndrisnin shpirtin e dërmuar, rreze për t’u mos u shuar asnjëherë dhe sa të jetë jeta. Veprimtaria e Haxhi Selim Stafës është shumëplanëshe. Ajo nuk është veprimtari thjesht e një hoxhe. Jo vetëm në çështjet e fesë, por ai ishte një përfaqësues i denjë i fushave arsimore e kulturore, si dhe një përfaqësues i devotshëm i atdheut dhe i kombit, që foli në çdo rast me krenari.

Haxhi Selim Stafa kishte besim të thellë e të paluhatshëm në Fuqinë e Allahut xh.sh. se feja islame në Shqipëri do të lulëzonte sërish. Me të vërtetë ai i pa, i shijoi dhe i përjetoi këto ideale pasi ishte ndër njerëzit nismëtarë që themeluan Komunitetin Mysliman dhe për shumë vite radhazi ishte udhëheqësi i besimtarëve myslimanë të kryeqytetit, detyrë të cilën e drejtoi me aftësi, me sinqeritet dhe me përkushtim të plotë. Si bashkëpunëtor i ngushtë i Haxhi Hafiz Sabri Koçit, ai punoi fort për rigjallërimin e jetës fetare, për rihapjen apo ndërtimin e objeteve të kultit, për organizimin e Bashkësisë Islame dhe lidhjet me organet shtetërore dhe intelektualët shqiptarë e të huaj, për kthimin e pasurive të Komunitetit Mysliman, për rihapjen e shkollave fetare, për rritjen e ndjenjave fetare të besimtarëve, për përgatitjen e kuadrit dhe harmonizimin ndërfetar, për paqen e qetësinë, si dhe për të mirën e Shqipërisë dhe të njerëzimit. Po ashtu ai punoi me këmbëngulje për një bashkëpunim të frytshëm me vendet islame, me shoqatat, me vendet fqinje, që ato të jepnin ndihmën e nevojshme dhe ia arriti qëllimit. Të gjitha këto tregojnë në mënyrë të qartë horizontin e personalitetit të tij.

Haxhi Selim Stafa u karakterizua për një dinamizëm të jashtëzakonshëm në realizimin e detyrave nga më të thjeshtat e deri tek ato më të mëdhatë e të vështirat. Të gjitha këto e bënë atë një personalitet të dëgjuar. Pjesëmarrja e tij në shumë kongrese, mbledhje, simpoziume kombëtare e ndërkomëtare, takimet me personalitete të larta fetare islame dhe të besimeve të tjera, takimet me personalitetet e larta shtetërore të vendeve islame, pra, ky aktivitet i gjerë, tregon se ai ishte pjesëmarrës në çdo qelizë të jetës fetare si brenda ashtu dhe jashtë vendit.

Të gjitha këto plotësojnë figurën e Haxhi Selim Stafës, i cili ka marrë edhe vlerësimet e duhura. Ai është vlerësuar nga personalitete të shquara fetare të Shqipërisë, diasporës e të huaja. Është  vlerësuar si një njeri me njohuri të thella, një person që përmblodhi në vetvete një enciklopedi të gjithanshme në aspektin fetar, qytetar e atdhetar. Haxhi Selim Stafa ishte njeriu që i dha shumë kombit dhe fesë. Ai u largua nga kjo jetë duke e dorëzuar shpirtin me emrin e Allahut xh.sh.

Gjurmët që ai la, do të mbeten të pashlyera në historinë e fesë islame në Shqipëri. Ai mbetet simbol i fesë për të gjithë brezat myslimanë të sotëm e të ardhshëm, e do të jetë shembull në çdo kohë dhe një ndjekës i denjë i rrugës së Profetit Muhamed a.s.

Ne u ndamë fizikisht me Haxhi Selimin, me vëllain, mikun, njeriun dhe dijetarin islam, por kujtimi i tij do të mbetet përherë si gurrë e përshtatshme dhe emri i tij do të shkruhet me germa të arta në historinë e Islamit në Shqipëri.

Kujtimi i tij qoftë i paharrueshëm. Allahu xh.sh. e shpërbleftë me Xhenetin Firdeus dhe e vendostë në krah të Profetit Muhamed a.s.

Kush ishte H. Selim Stafa?

Haxhi Selim Myslym Stafa lindi në Tiranë në vitin 1936, në një familje të përkushtuar në respektimin e fesë islame. Kushtet e kohës nuk mundësuan për babanë e tij që ai vetë të ndiqte shkollë islame, prandaj ai e dërgoi Selimin, të birin, në Medresenë e Tiranës, që në atë kohë quhej “Medreseja e Përgjithshme”, ku falë ndihmës së Krijuesit, mundit të mësuesve të nderuar, si dhe punës së  tij sistematike, e mbaroi Medresenë me rezultatet më të larta. Pas përfundimit të Medresesë, ai vazhdoi në përvetësimin e gjuhës arabe.  Koha solli që H. Selimi të angazhohej me punë në shtypshkronjë në sektorin e botimeve në gjuhën arabe, çka i dha mundësi të njihej më mirë me pasurinë e pafund të kësaj gjuhe. Është fakt se gjatë kohës së sistemit monist në Shqipëri, literatura islame mungonte thuajse fare, sepse ata pak libra fetarë, që gjendeshin në gjuhën shqipe, arabe, osmane dhe perse, përfunduan në pjesën më të madhe në fabrikën e prodhimit të kartonit për ambalazh. Pas përmbysjes së regjimit monist në Republikën e Shqipërisë dhe me ardhjen e organizatave humanitare islame, Haxhi Selimi ra në kontakt me literaturën islame në gjuhën arabe dhe kështu iu dha mundësia të njihej edhe më shumë me diturinë islame nga burimet origjinale dhe në radhë të parë, me diturinë rreth Kur’anit Fisnik dhe haditheve të hazreti Muhamedit a.s. Mungesa e botimeve islame në gjuhën shqipe, e nxiti t’i futej përkthimit të plotë dhe për herë të parë në gjuhën shqipe të komentimit (tefsirit) të Kur’anit.

Personalitete të kulturës fetare e atdhetare në Tiranë dhe konkretisht të përkthimit të librit “El-muntekhabu fij tefsijril-Kur’anil Kerijm”, (Përzgjedhje për komentin e Kur’ani Kerimit), me autorë një grup dijetarësh të “Ez’heri Sherifit”, botuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me shoqatën islame Komiteti i Botës Islame. Përkthimi i këtij tefsiri në gjuhën shqipe, për thjeshtësi përdorimi, është botuar në dhjetë libra me më shumë se 1950 faqe. Më pas H. Selimi ka përkthyer librin (Besimi i Myslimanit) “Akijdetul-Muslim” të autorit Muhamed Gazali, botuar nga “Organizata e Thirrjes Islame”. Më pas ka përkthyer librin “Akhlàkunà”, (Morali ynë) të autorit Dr. Muham’med Rebij. Më pas, ka përshtatur në gjuhën shqipe standarde librin “Ajka e Kuptimeve të Kur’ani Kerijmit”, përkthim në gjuhën shqipe i tefsirit të gjashtë sureve të para të Librit të Allahut përkthyer prej Hafiz Ibrahim Dalliut, si dhe librin “Sijre Nebevij’jeh” (Jeta e Profetit Muhamed).

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, duke parë aktivitetin e H. Selimit në shërbim të Islamit, në muajin tetor të vitit 1998 e emëroi Myfti të qytetit të Tiranës dhe Nënkryetar të këtij Komuniteti. Në këtë detyrë qëndroi deri më 06.03.2004, datë në të cilën u tërhoq nga detyra. Në mbledhjen e datës 25 mars 2010, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe Këshilli i tij i Përgjithshëm akorduan për H. Selimin Titullin e Nderit “Pishtar i Ringjalljes Islame në Shqipëri” me motivacionin: “Figurë e shquar e Islamit në Shqipëri, për kontributet e vyera dhe sakrificat e bëra në rigjallërimin e vlerave institucionale të Islamit dhe të traditave të kombit tonë”.