Nata e pesëmbëdhjetë (nata që lidh ditën e 14 me ditën e 15) të muajit Shaban sipas kalendarit hënor, është Nata e Mirë e Beraetit. “Beraet” do të thotë pafajësi, shpëtim prej një situate të keqe, marrje e pafajësisë.

Përveç emrit Beraet, kjo natë ka emrat: Nata e Begatë, Nata e Pafajsisë, sepse nëse vlerësohet si duhet është një mundësi e dhënë nga Allahu për të dalë i pastër nga gjynahet dhe gabimet. Kjo natë quhet edhe “Sak”, dekret shpëtimi. Gjithashtu mban emrin Nata e Mëshirës meqë njerëzit përfitojnë nga mirësia dhe mëshira e madhe e Allahut (xh.sh.).

Pesë veçoritë e natës së Beraetit

Nga burimet Islame, mësojmë se Nata e Beraetit njihet për këto pesë veçori:

1–  Në këtë natë bëhet ndarja dhe përzgjedhja e punëve më të rëndësishme.

2–  Adhurimet që bëhen në këtë natë dhe agjërimi që mbahet ditën kanë vlera shumë të mëdha.

3–  Është një natë e mbushur plot me mirësi hyjnore dhe me begati.

4–  Është nata e faljes.

5–  I është dhënë e drejta e plotë Resulullahut për të bërë shefaat (ndërmjetësim për falje) për myslimanët. Profeti (a.s.) në natën e 13-të të muajit Shaban kërkoi shefat dhe iu dha një e treta; në natën e 14-të kërkoi përsëri shefaat dhe iu dha një e treta; në natën e 15-të (Nata e Beraetit) kërkoi përsëri dhe iu dha i plotë shefaati për ymetin e tij. Ata që janë të privuar nga ky ndërmjetësim, janë ata të cilët ikin nga Allahu siç ikën deveja duke u trembur (Tefsiri er-Razi dhe Ebu Suud, H. Basri Çantaj).

Çfarë duhet të bëjmë ne si besimtarë me rastin e kësaj nate?

Natën me ibadet (adhurim), kurse ditën me agjërim, përveç të tjerave është dhe synet i fortë të agjërosh tre ditët e bardha, që janë datat 13, 14 dhe 15 të çdo muaji.

Profeti Muhamed (a.s.), ka thënë vlerësojeni këtë natë duke u ngritur për të falur dhe agjëroni ditën e saj, sepse Allahu zbret mëshirën e tij në qiellin e dynjasë, e thotë: A gjendën në këtë kohë besimtarë që kërkojnë falje! A gjenden në këtë kohë besimtarë që kërkojnë pasuri! A gjenden njerëz te sëmurë që i luten Zotit për t’i shëruar, e kjo ndodh derisa të dalë agimi.

Kjo natë është nata e faljes dhe e mëshirës. Resulullahu (a.s.) na mëson se në këtë natë Allahu e shton edhe më shumë mëshirën e tij mbi tokë dhe urdhëron e thotë: “A ka ndonjë që kërkon falje dhe unë ta fal? A ka ndonjë që kërkon rrizk dhe unë ta furnizoj me rrizk? A ka ndonjë që kërkon të shpëtojë prej vështirësive që unë t’i jap shpëtim?

Ndërkohë që ne rendim pas ëndërrimeve, dëshirave, punëve e halleve të kësaj dynjaje, po harrojmë se kush jemi, nga vijmë e ku shkojmë. Na duhet një ndalesë, një pauzë, që ne të kujtohemi se kush jemi në të vërtetë, cila është arsyeja që jemi krijuar, kush na ka krijuar, përse kemi ardhur në këtë botë. Kjo mënyrë e të menduarit merr akoma më shumë kuptim, pikërisht në këtë natë, e cila ka një vlerë të madhe.