Këshilli i Qarkut Elbasan, i ka akorduar sot Myftiut të këtij rrethi, z. Agim Duka, titullin “Mirënjohja e Qarkut Elbasan”.

Ky titull ju akordua Myftiut të Elbasanit gjatë një ceremonie të zhvilluar sot në ambientet e Hotel “Skampa”, ku ishin të pranishëm Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, z. Gledian Llatja, përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare të Elbasanit, përfaqësues të pushtetit vendor e lokal, myftinj, qytetarë dhe intelektualë të shumtë të këtij rrethi.

Në fjalën e tij përshëndetëse Kryetari i KMSH-së, z. Spahiu, pasi falënderoi Këshillin e Qarkut Elbasan për vlerësimin e Myftiut të këtij rrethi, u ndal në promovimin e vlerave dhe parimeve më të larta shoqërore që janë në thelb të institucionit të KMSH-së në qendër dhe myftinive në rrethe.

“Është një kënaqësi sot për mua si kryetar i KMSH-së të marr pjesë në këtë ceremoni ku vlerësohet Myftiu i Elbasanit, pasi ky vlerësim tregon shumë për vlerat dhe kontributin e myftinive në rrethet ku ushtrojnë aktivitetin e tyre fetar, kulturor dhe social. Myftinia e Elbasanit por edhe myftinitë e tjera do të jenë gjithmonë bashkëpunuese për të koordinuar punët me instanca të ndryshme në mënyrë që vendi ynë të përparojë dhe të jetë burim qetësie për qytetarët.” – tha ai gjatë fjalës së tij.

Ndërsa Myftiu i Elbasanit, z. Duka, gjatë marrjes së çmimit u shpreh i vlerësuar por njëkohësisht edhe i motivuar për të zgjeruar më tej kontributin e Myftinisë së këtij rrethi.

“Ky vlerësim shkon për angazhimin e vazhdueshëm të imamëve, besimtarëve dhe të gjithë atyre që kontribuojnë në forma të ndryshme për të ruajtur vlerat e besimit dhe në veçanti harmoninë ndërfetare në mesin e besimtarëve.” – u shpreh ai gjatë fjalës së tij.

Aktiviteti vijoi më tej me përshëndetjet e figurave të ndryshme kulturore, politike e shoqërore të rrethit të Elbasanit, në vlerësim të figurës së Myftiut Duka.

Pas përfundimit të këtij aktiviteti, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Spahiu, mbajti hytben e xhumasë në xhaminë e Postës, ku foli për besimtarët e pranishëm mbi kumtumin si dhuratë e çmuar që udhrrëfen njerëzit kah e mira, e drejta dhe i largon ata nga rruga e gabuar.

“Që të fitojmë dhe ta meritojmë faljen dhe mëshirën e Allahut xh.sh rruga e vetme e kësaj është ti bindemi synetit të Pejgamberit a.s. dhe ta bëjmë atë shembullin e vetëm në rrugën tonë.”- tha ai gjatë hytbes.

Pas përfundimit të hytbes ishte pikërisht Kryetari i KMSH-së që priu në namazin e xhumasë ku ishin të pranishëm dhjetëra besimtarë.