Myftinia e Shkodrës shtroi mbrëmjen e djeshme iftar me rastin e muajit të bekuar të Ramazanit.

Në këtë iftar ishin të pranishëm myftiu i Shkodrës, z. Muhamed Sytari, Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, z. Voltana Ademi, intelektualë, artistë, drejtues të shoqatave islame, drejtues të komuniteteve fetare në Shkodër, kryetarja e Këshillit të Qarkut, kryetari i Këshillit të Bashkisë, përfaqësuesi i Prefekturës, myftinj të ardhur nga Prizreni dhe Ulqini dhe besimtarë.

Në fjalën e tij përshëndetëse myftiu i Shkodrës, z. Sytari tha se Ramazani është muaji i rimëkëmbjes shpirtërore.

“Muaji Ramazan është Muaj i rimëkëmbjes shpirtërore dhe i vendosjes së ekuilibrave të shëndoshë në marrëdhënien tonë me Zotin dhe me krijesat e Tij. Është Muaj i identitetit të vërtetë të shpirtit dhe zemrës, udhëzues drejt ndërtimit të vlerave dhe pastrimit nga sprovat”, tha ndër të tjera myftiu i Shkodrës.

Të pranishmit i përshëndeti edhe Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, i cili uroi besimtarët me rastin e Muajit Ramazan dhe vlerësoi frymën e bashkëpunimit dhe shpirtin e harmonisë komunitare në mesin e besimtarëve dhe qytetarëve në Shkodër.