Në kuadër të muajit të Bekuar të Ramazanit, mbrëmjen e djeshme Myftinia e Fierit shtroi iftarin e radhës për besimtarët e zonës.

I organizuar në sheshin kryesor të qytetit, ky iftar mblodhi sëbashku Myftiun e rrethit z. Taulant Bica, Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Skender Brucaj, Kryetarin e Bashkisë së Fierit z. Armando Subashi, Kryetarin e Këshillit të Qarkut z. Vangjel Ndreka, Drejtorin e Aluiznit z. Ervin Bushati, Deputetin e Partisë Demokratike z. Luan Baci si dhe rreth 350 besimtarë të qytetit të Fierit.

Në fjalën e tij hapëse, Myftiu i zonës z. Taulant Bica, pasi ju uroi mirëseardhjen të pranishmëve, u ndal në rëndësinë që kanë organizime të tilla në përjetimin e atmosferës së Ramazanit tek besimtarët myslimanë.

“Agjërimi i këtij muaji i bën besimtarët më të dashur me njëri tjetrin, më bamirës ndaj atyre në nevojë, e më të respektuar në shoqëri. Le të jëtë ky muaj një muaj ku ne të gjithë si besimtarë të promovojmë vlerat e Islamit me pjesën tjetër të shoqërisë.”- tha ai gjatë fjalës së tij.

Më tej ishte radha e Kryetarit të KMSH-së z. Brucaj të ndante me të pranishmit fjalën përshëndetëse të rastit. Ai u shpreh entuziast se ky iftar do të jetë një pikënisje e mirë për të gjithë besimtarët e këtij qyteti në organizime të tjera të ngjashme.

“Ramazani është një ftesë hyjnore për të gjithë ne, për të trokitur në portën e Mëshirës së Pafundme, të të Gjithëmëshirshmit, një rrugëtim drejt edukimit moral e shpirtëror, drejt maturimit te zemrave, le të jetë ky muaj mundësia jonë e artë për të përfituar sa më shumë prej begative të Zotit të gjithësisë duke kontribuar sado pak me vepra të mira”- tha z. Brucaj.

Besimtarët e pranishëm në iftar i përshëndeti gjithashtu edhe Kryebashkiaku i Fierit z. Subashi, i cili pasi ju uroi atyre një agjërim të letë e të pranuar theksoi mbështetjen e plotë të institucionit që ai drejton ndaj myftinisë së qytetit dhe vëçanërisht ndaj organizimeve të tilla të ngjashmë ku promovohen dashuria dhe sinqeriteti ndaj njëri –tjetrit.

Më tej, ishte z. Ervin Bushati, Drejtor i Aluiznit në këtë qytet ai i cili përshëndeti të pranishmit dhe ju uroi atyre agjërim të lehtë dhe sa më shumë vepra të mira në shërbim të komunitetit të përbashkët. Në fund të fjalës së tij ai i dorëzoi Myftiut të Fierit lejen e legalizimit të Xhamisë së qendrës së këtij qyteti.