Myftinia e Kavajës me rastin e muajit të bekuar të Ramazanit organizoi simpoziumin me titull: “Ramazani, muaji i mirësive”.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë kryetari i Komunitetit Mysliman, H. Skender Bruçaj, nënkryetari, z. Lauren Luli, kryetari i Bashkisë së Kavajës, z. Isa Sakja, myftiu i Kavajës, z. Besnik Leçini, zv/myftiu i Tiranës, z. Bilal Teqja, myftinj të qyteteve të tjera, imamë dhe besimtarë të shumtë.

Kryetari i KMSH-së në fjalën e tij theksoi vlerat dhe mirësitë e mëdha të muajit të Ramazanit.

“Ramazani e bën njeriun më human dhe më të ndjeshëm. Besimtarët gjatë këtij muaji solidarizohen më shumë me njerëzit në nevojë. Ai është muaji në të cilin dalin në pah vlerat, që simbolizojnë moralin e lartë shoqëror dhe agjërimi i këtij muaji i afron besimtarët më shumë me vlerat e humanizmit, respektit ndaj tjetrit, bamirësisë, sinqeritetit”, tha ndër të tjera z. Bruçaj.

Në këtë aktivitet përshëndetën me fjalën e tyre kryetari i Bashkisë së Kavajsë, z. Isa Sakja dhe myftiu i Kavajës, z. Besnik Leçini.

Më pas simpoziumi vijoi me mbajtjen e kumtesave.

Nënkryetari i KMSH-së foli për mirësitë e leximit të Kur’anit gjatë këtij muaji ndërsa zv/myftiu i Tiranës z. Bilal Teqja kumtoi mbi reflektimin dhe mësimet që besimtari duhet të nxjerrë nga muaji i Ramazanit.

Gjithashtu gjatë aktivitetit hafizi Besmir Kruta lexoi pjesë nga Kur’ani dhe ilahi.