Këtë fundjavë në ambjentet e Pallatit te Kulturës, Myftinia Dibër organizoi simpoziumin me temë “Mirë se erdhe muaji i madhërueshëm i Ramazanit”.

Programi u hap me një pjesë Kuranore të kënduar nga Ramiz Mziu.

Më pas moderatori i programit z. Blerim Lazimi, duke treguar mesazhet e rëndësishme të këtij muaji të bekuar bëri një hyrje te programit.

Përshëndetjen e rastit e mbajti myftiu i Dibrës z. Muis Kurtulla, ku ndër të tjera theksoi se si besimtarët duhet ta përjetojnë këtë muaj.

Nënkryetari i KMSH-së, z. Bujar Spahiu referoi për publikun mbi vlerat e këtij muaji të begatë, duke vënë në dukje mëshirën dhe faljen e Zotit, si dhe rastin e madh që i jepet besimtarit për t’u ngritur në gradat shpirtërore.

Drejtori i kulturës në KMSH, z. Dorian Demetja referoi për dobitë shpirtërore, morale, shoqërore dhe shëndetësore që përfitojmë nga agjërimi i muajit të madhërueshëm të Ramazanit.

Për të pranishmit u shfaq një dokumentar me titull: “Përse agjërojnë myslimanët” dhe Ramiz Mziu herë pas here e zbukuronte këtë aktivitet me ilahi të ndryshme.

Në fund u shpërndanë për publikun ëmbëlsira dhe revista “Drita Islame” ndër vite.

20 maj 2017