Ka mbërritur në Shqipëri delegacioni nga Mbretëria e Arabisë Saudite, i kryesuar nga Shkëlqesia e Tij, Dr. Abdul-Latif bin Abdul-Aziz Al Shejkh, Ministër i Çështjeve Fetare në Mbretërinë e Arabisë Saudite.

Ministri do të zhvillojë një vizitë zyrtare 3 ditore në Shqipëri me ftesë të Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu.

Pjesë e axhendës së tij do të jenë edhe takimet me krerët e shtetit shqiptar, me Presidentin e Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta dhe Kryetaren e Parlamentit të Republikës, Zonjën Lindita Nikolla.

Qëllimi dhe axhenda e kësaj vizite është bashkëpunimi midis dy popujve tanë, përputhja e vizionit të të dy palëve rreth rëndësisë së traditës së Profetit Muhamed (s.a.s) si mënyra më e mirë për të përhapur paqen dhe tolerancën ndërmjet popujve, si dhe për të çrrënjosur ekstremizmin dhe terrorizmin me të gjitha llojet dhe burimet e tij.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë falënderon dhe shpreh vlerësimet e tij më të përzemërta Mbretërisë së Arabisë Saudite me në krye Shërbyesin e Dy Xhamive të Shenjta, Mbretin Selman bin Abdulaziz, për çdo derë mirësie që Mbretëria e Arabisë Saudite ka hapur për myslimanët kudo ndodhen si dhe për njerëzimin mbarë!