Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dënon ashpër sulmin terrorist të ndodhur në qytetin Christchurch të Zelandës së Re, ku si pasojë e një sulmi terrorist humbën jetën 49 besimtarë myslimanë që po kryenin faljen e xhumasë, dhe rreth 50 të lënduar po marrin mjekimin në spital.

Ne dënojmë me ashpërsinë më të madhe këtë akt barbar ndaj besimtarëve myslimanë të pafajshëm e paqësor, duke shprehur bindjen se terrori nuk ka fe e atdhe dhe me ligësinë e tij ai godet pabesisht.

Në këto momente dhimbjeje dhe trishtimi shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e viktimave.

Kjo masakër dhe ky akt është një nëpërkëmbje arrogante ndaj çdo vlere njerëzore dhe një sulm i ulët e i dënueshëm nga çdo normë morale, fetare e universale.

Terrori nuk mund të jetë kurrë pjesë e ndonjë arritjeje apo shpëtimi, terrori nuk prodhon veçse kaos e ligësi. Ai merr jetë njerëzish të pafajshëm dhe është një goditje kundër vlerave demokratike universale dhe vlerave njerëzore.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i shpreh edhe një herë ngushëllimet familjarëve të viktimave dhe mbarë popullit të Zelandës së Re, si dhe i uron shërim të shpejtë të lënduarve.

Ne bashkohemi me dhimbjen e tyre dhe i lutemi Zotit që ngjarje të tilla të mospërsëriten si dhe të gjithë terroristët dhe mbështetësit e tyre të marrin dënimin e merituar.

Gjithashtu u bëjmë thirrje mediave dhe portaleve që mos të transmetojnë pamjet makabre të regjistruara nga terroristët, pasi përhapja e videos ishte pjese e qëllimit të tyre makabër. Pamje të tilla janë të rënda për publikun dhe shkelin çdo lloj etike.