Me rastin e 90 vjetorit të themelimit të Medresesë së Tiranës, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë organizoi një aktivitet përkujtues mbi kontributin e kësaj shkolle ndër vite.

ZK1A0282

Drejtori i Medresesë, z. Omer Çallësh, në fjalën e hapjes u shpreh se arsimimi më tepër se një profesion për mësuesin, është një mision i shenjtë dhe një përgjegjësi e vështirë.

“Për ne sot është nder që kemi këtë trashëgimi, por është edhe një përgjegjësi e madhe për ta mbajtur këtë emër në nivelet e duhura, në përputhje me nevojat e kohës. Sot, jo vetëm Medreseja e Tiranës, por edhe të gjitha medresetë, janë burim krenarie për arsimin shqiptar dhe një vlerë e shtuar në mozaikun arsimor të këtij vendi”, tha z. Çallësh.

Kryetari i Komunitetit Mysliman, z. Skender Bruçaj, shprehu mirënjohjen e veçantë për themeluesit dhe drejtuesit e Medresesë së Tiranës ndër vite, të cilët së bashku me arritjet e tyre individuale dhe kontributin shoqëror, u bënë gurë themeli për ruajtjen e traditave islame në vendin tonë.

ZK1A0352

“Shkolla është një laborator jete, është vendi i mësimit, i edukimit dhe i skalitjes së virtyteve dhe cilësive më të mira të nevojshme për jetën. Mbi këtë filozofi e me këtë vizion u hap Medreseja e Tiranës para gati një shekulli, që bashkë me sfidat dhe vështirësitë që e kanë shoqëruar, formoi një traditë të bukur e na la në dorë një amanet të çmuar. Shtatë medresetë në qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë dhe Universiteti Bedër, janë shembulli më i mirë, që tregon rëndësinë që Komuniteti Mysliman i jep arsimit dhe edukimit të brezave të rinj, të frymëzuar nga fjala e parë e Zotit në Kur’an “LEXO”, tha ndër të tjera Kryetari Bruçaj.

ZK1A0374

Ndërsa Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i pranishëm në këtë aktivitet, u shpreh: “Jam këtu, si pasrendës i autoritetit republikan që u kujdes të firmoste aktin e lindjes së një institucioni fetar por edhe edukativ, ku mësuan dhe performuan dijen e tyre personalitete si: Hafiz Ali Korça, Hoxhë Kadri Prishtina, Haxhi Ali Derhemi, Hafiz Ali Podgorica, Ferit Vokopola, firmëtar i deklaratës së Pavarësisë, Sheh Ibrahim Karbunara, Vexhi Buharaja, njohës i rrallë i osmanishtes, për të mos harruar Haxhi Hafiz Sabri Koçin, rimëkëmbësin e Komunitetit Mysliman pas rënies së diktaturës komuniste.

Aktualiteti dëshmon në të kundërt se si emergjencë, për të gjithë, besimtarë dhe jo besimtarë, shfaqet sot e gjithë ditën më fort se asnjëherë tjetër nevoja e shpëtimit të civilizimit, e shpëtimit të kulturës, e shpëtimit të qytetarisë. E pa asnjë dyshim, brenda kësaj nevoje për shpëtim, feja është ithtar i pazëvendësueshëm.

Çka duhet arritur është një qytetar i lirë, i ndërgjegjshëm, i përgjegjshëm. Domosdoshmërisht një qytetar i mirë, me pasion i orientuar drejt dijes, urtësisë dhe përgjegjshmërisë, “ashik” i Krijuesit pse jo, por edhe më fort i kulturës dhe i respektit për civilizimet.

Ky mision, që e tashmja e ngatërruar ia vë barrë mbarë Islamit të ndriçuar dhe myslimanëve të ndritur e të ditur, është edhe më tepër misioni historik dhe lavdia e përveçme për të cilën kjo medrese dhe medresetë e tjera të Shqipërisë duhet të aspirojnë me përdëllim dhe me zjarrin e zemrës. Dhe për këto aspirata meritojnë respektin e përulur, jo vetëm të këtij komuniteti, por të gjithë bashkësisë shqiptare, pa dallime fetare, bashkësisë së besimtarëve apo të jobesimtarëve”, tha ndër të tjera kryeministri Rama.

Të pranishëm në aktivitetin e organizuar në Tirana International Hotel ishin figura të rëndësishme të jetës politike, akademike, arsimore, trupit diplomatik dhe jetës fetare e kulturore në vend.

Në aktivitet u shfaq një dokumentar mbi historikun e Medresesë dhe u shpërnda një album me foto historike nga jeta në shkollë, që nga themelimi deri në ditët tona.

ZK1A0320ZK1A0241

ZK1A0256ZK1A0420 ZK1A0456 ZK1A0471