U zhvillua sot në ambientet e Medresesë së Tiranës mbledhja e zakonshme e Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Mbledhja u hap me lexim Kurani nga Myftiu i Fierit, z. Mikel Hazizolli.

Më pas, fjalën e mori drejtori i kabinetit, z. Ejup Lila, i cili bëri hapjen e rastit dhe i dha fjalën Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu.

Kryetari Spahiu bëri një përmbledhje të 6 mujorit të kaluar, duke cekur disa nga zhvillimet kryesore të institucionit në qendër e në rrethe.

Për të vijuar më tej me fjalën e Kryetarit të Këshillit të Përgjithshëm, z. Islam Hoxha, i cili ndau me të pranishmit raportin e Myftinisë Kamëz dhe Myftinisë Vorë, duke shpalosur për të pranishmit aktualitetin e tyre, si nga ana logjistike po ashtu edhe nga ajo fetare.

Më pas, drejtori i kabinetit, ndau me të pranishmit disa nga aktivitetet kryesore të KMSH-së dhe të kryetarit Spahiu për 6-mujorin e dytë të vitit 2022.

U lexuan vendimet e kryesisë që nga mbledhja e fundit dhe u kaluan për votim nga anëtarët e këshillit.

Mbledhja vazhdoi më tej me nënkryetarin e KMSH-së, z. Taulant Bica, i cili bëri një rezyme të shkurtër në lidhje me institutin e studimeve islame, FRMSH dhe aktivitetet që pritet të organizojë Komuniteti Mysliman i Shqipërisë vitin e ardhshëm në kuadër të 100 vjetorit të themelimit si institucion.

Në mbyllje të kësaj mbledhjeje, z. Elton Karaj, Drejtori i Drejtorisë së arsimit, bëri një prezantim të shkurtër të drejtorisë, objektivat dhe aktivitetet që do të bëhen nga kjo drejtori në bashkëpunim me medresetë e vendit dhe K.U “Bedër”.