Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë u mblodh sot paradite në ambientet e Medresesë së Tiranës, ku ka zhvilluar mbledhjen e zakonshme për 6 mujorin e dytë të vitit 2019.

Takimi u hap me këndimin e ajeteve kur’anore nga myftiu i Tiranës z. Lauren Luli.

Më pas mbledhja ka vazhduar sipas rregullores statuore, me listëprezencën dhe prezantimin e raporteve.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, përshëndeti të gjithë anëtarët e rinj të Këshillit të Përgjithshëm dhe ju uroi atyrë suksese në detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.

Në mbledhje është bërë konstituimi i Këshillit të Përgjithshëm, u votua për Kryetarin e ri të Këshillit të Përgjithshëm, ku është rizgjedhur për ta drejtuar në katër vitet e ardhshme, Myftiu i Kukësit z. Islam Hoxha dhe janë votuar drejtuesit dhe anëtarët për komisionet e përhershme të këtij këshilli.

Kryetari i KP i rizgjedhur për një mandat të dytë falënderoi anëtarët për besimin dhe tha se të gjithë së bashku duhet të kontribuojmë dhe të bashkëpunojmë për të përmirësuar ecurinë e aktivitetit të institucionit tonë.

Raporti i i mbajtur nga kancelari i KMSH-së z. Ylli Cikalleshi, ka evidentuar dhe nxjerrë në pah aktivitetin e përgjithshëm të drejtorive të KMSH-së, funksionimin e instancave të institucionit në nivel qëndror dhe vendor, sfidat, problemet dhe pengesat që janë hasur gjatë gjashtë mujorit të fundit.

Në raport u nënvizuan gjithashtu edhe disa prioritete të së ardhmes, për të bërë të mundur që institucioni i KMSH-së të jetë në nivelet më të larta të përfaqësimit dhe përgjegjësive që mbart.

Këshilli i Përgjithshëm u informua me vendimet që Kryesia e Komunitetit Mysliman ka marrë gjatë kësaj periudhe si dhe emërimet dhe lëvizjet e kryera gjatë këtij viti, të cilat më pas janë miratuar nga KP, së bashku me raportin e Kryesisë së KMSH-së.

Anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm dhe Myftinjtë, paraqiten problematikat që hasin dhe propozimet për projekte të reja.

Në fund mbledhja u mbyll me fjalën e kreut të KMSH-së z. Bujar Spahiu, i cili tha se të gjithë duhet të kontribuojnë për të rritur ecurinë dhe mbarëvajtjen e aktivitetit të KMSH-së si dhe duhet të jemi të përgjegjshëm dhe të kujdesshëm në interpretimin e Islamit.