Këshillit Ndërfetar i Shqipërisë ka zhvilluar mbledhjen e radhës ku kanë marrë pjesë të gjitha organet e KNFSH-së.

Në kuadër të përgatitjeve për pjesëmarrjen e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në Asamblenë e X-të Botërore të “Religions for Peace”, që do të mbahet në Lindau të Gjermanisë në gusht të këtij viti, janë mbajtur sot në ambientet e Selisë Qendrore të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, “Konsultimet Kombëtare” të të gjitha instancave të KNFSH-së, Këshilli i Presidencës, Bordi Ekzekutiv, Departamenti i Gruas dhe Departamenti i Rinisë.

Në seancën e parë është mbledhur Bordi Ekzekutiv, ku znj. Sheldiana Jano, anëtare e këtij bordi ka shpjeguar pesë temat, që do të diskutohen në Asamble dhe më pas pjesëmarrësit në këtë takim, gjatë një workshopi të ndarë në tre grupe me përfaqësues nga komunitete të ndryshme fetare, kanë diskutuar rreth këtyre temave, duke nxjerrë disa rekomandime dhe sugjerime të rëndësishme, të cilat do të dërgohen në asamble në emër të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.

Ndërsa në seancën e dytë plenare janë mbledhur për herë të parë të gjithë bordet dhe departamentet e KNFSH-së, ku relatorët e grupeve të punës kanë referuar rreth rekomandimeve dhe sugjerime të dala në takimet e 20 dhe 27 qershorit 2019.

Më pas, në këtë seancë të moderuar nga Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë Dr. Genti Kruja, kanë folur dhe drejtuesit e komuniteteve fetare, njëkohësisht dhe anëtarë të Këshillit të Presidencës, të cilët kanë vënë theksin në rëndësinë e dialogut ndërfetar, por edhe frymës së dialogut në përgjithësi në këto ditë, ku ka kaq shumë nevojë për modelin e dialogut, si një vlerë e munguar në arenën politike në dobi të paqes sociale.

Në fund të këtij takimi, i pari i këtij lloji në vendin tonë, ku janë mbledhur jo vetëm drejtues të komuniteteve fetare, por dhe përfaqësues të grave dhe rinisë nga të gjitha komunitet, janë shpërndarë edhe certifikatat e pjesëmarrjes në këtë takim.