Edhe këtë herë si çdo herë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do realizojë shpërndarjen e mishit të Kurbanit, ku do të përfitojnë familjet në nevojë në mbarë vendin.
KMSH do të organizojë prerjen e kurbaneve dhe shpërndarjen e mishit familjeve në nevojë.
Kushdo që dëshiron të presë kurban, mjafton të bëjë pagesën pranë Komunitetit Mysliman (Zyra e Finacës) ose në numrat e llogarive në linkun https://www.kmsh.al/dhuro-kurban/ dhe stafi ynë do të kujdeset për realizimin e këtij obligimi.
Urtësia e therjes së Kurbanit.
Adhurimet bëhen sepse janë urdhër i Zotit, por pas çdo adhurimi qëndron një urtësi.
Kurbani është adhurim, sakrificë dhe bindje e njeriut në rrugën për fitimin e kënaqësisë së Zotit.
Kjo bindje dhe sakrificë është simbolizuar me profetin Ibrahim dhe djalin e tij Ismail (Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ta) duke arritur majat.
Është fakt i pamohueshëm se Allahu nuk ka nevojë për asgjë dhe për askënd, por ne kemi nevojë për mëshirën e Tij.
Në Kuranin Famëlartë thuhet se:
“Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i kurbaneve. Ajo që arrin tek Zoti, është bindja dhe devotshmëria juaj ndaj Tij” (Haxh 37).