Në kuadër të 100-vjetorit të themelimit, Komuniteti Mysliman së bashku me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë organizuan në ambientet e Akademisë së Shkencave një ligjëratë me temë: “Kurani, Shkrimi i Shenjtë i Islamit dhe Islami në Europë”.
Referuesi i kësaj ligjërate akademike ishte prof. dr. Roberto Tottoli, Rektor i Universitetit të Napolit – L’Orientale Anëtar korrespondent i Accademia Nazionale dei Lincei.
Pikat kryesore të ligjëratës ishin;
-Kurani dhe arabistika në Europë në shekullin XVII
-Përkthimi i parë i teksteve islamike dhe i Kuranit u krye në Gadishullin Iberik, nën shtysën e Pjetrit të Përndershëm, abatit të Cluny -t (viti 1156) dhe u realizua nga Robert Ketton (vdekur në 1160)
-Përkthimi tjetër i plotë i Kur’an-it u krye sërish në Spanjë, nga Marco di Toledo (m. 1216)
-Përsëri në shekullin XIII në Spanjë u krye përkthimi i Librit të ngjitjes që trajton ngjitjen në qiell të profetit Muhamed (Kitab al-mi ‘raj),
-Gjuha e parë europiane në të cilën u përkthye Kurani ishte italishtja. Vepra u botua në Venedik në 1547 nga Arrivabene, nën kujdesin e Gian Battista Castrodardo-s, shoqëruar me tekste për Muhamedin (a.s.) dhe të tjera tekste për Islamin.
-Ky botim italisht pati sukses të madh dhe u përkthye në gjermanisht
prej nga pastaj u përkthye edhe në gjuhë të tjera, si në hollandisht.
Krahas ligjëruesit, prof. dr. Roberto Tottoli, të pranishëm në këtë ligjëratë akademike ishte Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, Kryetari i Komuniteti Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, anëtarë të Komitetit Shtetëror për Kultet, akademikë e të ftuar të tjerë.
Kryetari Spahiu gjatë fjalës së tij përshëndetëse falenderoi ASH dhe profesor Tottoli-n për këtë bashkëpunim i cili vjen edhe në një vit tepër të rëndësishëm për KMSH, siç është 100-vjetori i themelimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Në fund z. Spahiu i dhuroi prof. Tottoli-t një set botimesh të KMSH si dhuratë simbolike e këtij viti jubilar.