ZK1A3150

“Roli i komuniteteve fetare në forcimin e vlerave të familjes, si bërthamë bazë e shoqërisë”, ishte tema e simpoziumit të organizuar nga Komiteti Shtetëror për Kultet në bashkëpunim me bashkësitë fetare tradicionale në vend.

Simpoziumi u përqendrua në modelin e familjes si vlerë e veçantë e popullit shqiptar, si dhe rëndësinë që i japin asaj fetë, të cilat e konsiderojnë si kala mbrojtëse për ruajtjen e vlerave të moralit njerëzor.

Përshëndetjen në emër të organizatorëve e mbajti Kryetari i Komitetit shtetëror për Kultet, z. Ilir Hoxholli, i cili pasi falënderoi të pranishmit në këtë organizim të gjerë, vlerësoi lart kontributin e komuniteteve fetare në ruajtjen dhe konsolidimin e vlerave të familjes.

“Ne duhet të gjithë së bashku, të bëjmë gjithçka që shoqëria mbarë të jetë e njohur për ato të mira që na vijnë përmes një familjeje në harmoni, në dashuri, në dhembshuri për fëmijët dhe për të tjerët”, u shpreh z. Hoxholli.

Më tej, kreu i Kulteve vlerësoi se në kohën e sotme, kur kemi të bëjmë me një varg të gjatë problemesh, që prekin në palcë sidomos familjen, nevojitet një angazhim serioz i të gjithë faktorëve shoqërorë dhe veçanërisht i faktorit fetar.

“Në një kohë që po shkojmë drejt harresës së vlerave të familjes, unë ju drejtohem ju, si barinj shpirtëror, që të bëjmë gjithçka për të risjellë në vëmendje vlerat dhe modelin e përkryer që kemi brenda nesh”, u shpreh z. Hoxholli.

Drejtori i Kulturës, z. Genti Kruja, referoi temën “Respekti ndaj prindërve dhe kujdesi ndaj fëmijëve”. Ai theksoi se në kushtet e sotme, pavarësisht zhvillimit dhe arritjeve në fusha të ndryshme, është e domosdoshme që të jetë në plan të parë ruajtja e vlerave bazë të familjes, e cila është një garanci e sigurt për të ardhmen e individit, shoqërisë dhe kombit. “Familja është elementi themelor i shoqërisë. Ajo është shtylla më e rëndësishme e saj. Sa të respektuar të jenë pjesëtarët e familjes ndaj të drejtave dhe de­tyrave të njëri­-tjetrit, aq e shëndoshë është edhe shoqëria. Shkolla e parë e fëmijëve është shtëpia, kurse edukatorja e parë, është nëna. Përgatitja e nënave si edukatore është baza më e rëndësishme për ekzistencën dhe vazhdimësinë e një populli”, u shpreh z. Kruja.

Në simpozium referuan edhe George Frendo, përfaqësuesi i Kishës Katolike, Sali Peti, përfaqësues i Kryegjyshatës Bektashiane, Thoma Çomëni, pedagog në Akademinë Teologjike Ortodokse dhe Akil Pano, sekretar i Përgjithshëm i Vëllazërisë Ungjillore. Referuesit theksuan mes të tjerash se në ditët e sotme, shpeshherë, rastisim të dëgjojmë e të shikojmë raste nga më të pazakontat të cilat lëkundin themelet dhe bazat e shoqërisë sonë, lëkundin themelet e familjes. Këto raste na detyrojnë që me seriozitetin më të madh t’i qasemi kësaj çështjeje nga të gjitha aspektet e saj, si nga ai fetar, ekonomik, politik, shoqëror, shëndetësor, arsimor, psikologjik etj., dhe të rikujtojmë e të sjellim edhe një herë në vëmendjen e të gjithëve rëndësinë e familjes dhe rolin që ajo luan në edukimin e fëmijëve dhe brezave të ardhshëm.

Aktiviteti i zhvilluar në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, ishte në të njëjtën kohë tregues i harmonisë që karakterizon shqiptarët e të gjitha besimeve, pasuri e cila mund dhe duhet të kontribuojë në të mirë të familjes dhe shoqërisë.

Në këtë veprimtari ku ra në sy një pjesëmarrje e gjerë, morën pjesë edhe nënkryetari i Komunitetit Mysliman, H. Bujar Spahiu, myftinj dhe imamë, përfaqësues të lartë të komuniteteve fetare, drejtues dhe përfaqësues nga shoqëria civile, studiues të ndryshëm, etj.

24 Maj 2014

ZK1A3126 ZK1A3247 ZK1A3152 ZK1A3121 ZK1A3232