Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori pjesë në Forumin e 3-të Ndërkombëtar Humanitar të mbajtur në Rijad, në datat 20-21 shkurt 2023.
Organizator i forumit ishte Qendra Mbreti Selman për Bamirësi dhe Ndihma Humanitare. Kryetari Spahiu ishte i ftuar i posaçëm nga kreu i kësaj organizate z. Abdullah bin Abdulaziz al-Rabia.
Në këtë forum z. Spahiu zhvilloi takime me disa nga personalitetet më të rëndësishme politike, sociale dhe fetare në Arabinë Saudte, ndër ta, Shkëlqesia e Tij, Fajsal bin Ferhan Al Suud, Ministër i Jashtëm i Mbretërisë, Mbikqyrësi i Qendrës Mbreti Selman, etj.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është partner strategjik i Qendrës së mirënjohur në mbarë Lindjen e Mesme e cila është themeluar nga Hirësia e Tij, Mbreti Selman bin Abdulaziz, pasi prej mëse pesë vitesh rreth 25 mijë familje shqiptare të shtresave më në nevojë kanë përfituar ndihma dhe dhurata të ndryshme si shporta ushqimore, bursa shkollore etj.
“Duke u bazuar te fjalët e Allahut të Plotfuqishëm në Kuranin Famëlartë “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed) vetëm se si mëshirë për botët”, Qendra Mbreti Salman angazhohet në çdo cep të globit për t’i ardhur në ndihmë gjithkujt nën parimin e ndihmesës së njeriut si vëlla i njeriut.
Ky forum, i organizuar nga Qendra Mbreti Selman, është një mundësi unike për të sjellë ndryshime domethënëse në fushën humanitare dhe do të kontribuojë në shpëtimin dhe përmirësimin e jetës së miliona njerëzve në nevojë dhe zhvillimin e punës humanitare, duke inkurajuar edhe përfshirjen e të rinjve në veprimtari humanitare.
Edhe ne në Republikën e Shqipërisë kemi përfituar nga këto nisma duke mbështetur një numër të madh jetimësh dhe të varfërish, gjë që ka ndikuar shumë në zemrat e këtyre familjeve dhe ua ka lehtësuar sadopak vuajtjet.
Gjej rastin të shpreh edhe njëherë falënderimet dhe vlerësimet e mia për Qendrën Mbreti Selman dhe stafin e saj.
Gjithashtu dua të shpreh falenderimet dhe vlerësimin tim më të lartë për Kujdestarin e Dy Xhamive të Shenjta, Selman bin Abdulaziz, dhe Princin e tij të besueshëm të Kurorës, Muhamed bin Selman, për këto përpjekje të jashtëzakonshme në zbutjen e mjerimit dhe varfërisë për nevojtarët dhe të vuajturit në mbarë botën”, – u shpreh kryetari Spahiu gjatë fjalës së tij në forum.
Gjatë qëndrimit në Rijad, kryetari Spahiu ka zhvilluar një takim miqësor edhe me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Arabi, z. Sami Shiba.