Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, ndodhet për një vizitë zyrtare në Kairo, Egjipt, me ftesë të Myftiut të Egjiptit, z. Sheuki Ibrahim Al-Lam, për të marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Myftinia e Egjiptit me temë: “Institucionet e Fetvasë në Epokën Digjitale – Sfidat e Zhvillimit dhe Mekanizmat e Bashkëpunimit”.
Gjatë kësaj vizite, Kryetari Spahiu u prit në një takim të veçantë nga Myftiu i Egjiptit, z. Sheuki Ibrahim Al-Lam.
Z. Al-Lam i uroi Kryetarit Spahiu mirëseardhjen dhe i shprehu atij vlerësimet për bashkëpunimin midis Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe Myftinisë së Egjiptit për çështje të rëndësishme fetare, veçanërisht në lëmin e fetvasë.
Kryetari Spahiu pasi e falënderoi myftiun për ftesën dhe mikëpritjen, ai e njohu homologun e tij Egjiptian me aktivitetin fetar që kryen Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.
Bashkëbisedimi ishte i hapur dhe tepër miqësor.
Z. Spahiu dhe Myftiu i Egjiptit në fund të takimit shkëmbyen dhurata simbolike të rastit midis tyre.
Gjithashtu, gjatë kësaj vizite zyrtare, Kryetari Spahiu u prit në një takim nga, z. Mohamed Abdurrahman el-Duejni, Zëvendës i Imamit të Madh të Al-Az’har, Ahmed Al-Tajib.
Gjatë takimit, z. Spahiu vlerësoi bashkëpunimet e shumta të deritanishme midis Universitetit me famë botërore të Az’harit dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në fushën e trajnimit të kuadrove fetar e më gjerë.
Më tej, kryetari i KMSH u fokusua mbi rëndësinë jetike të harmonisë ndërfetare ku veçoi si nisëm për t’u marrë shembull “Dokumentin e Vëllazërisë Ndërnjerëzore” të firmosur ndërmjet Imamit të Madh, Ahmed Al-Tajib dhe Papa Françeskut në Abu Dabi, si dhe e njohu z. Duejni me shembullin e përkryer që Shqipëria ofron në fushën e harmonisë ndërmjet feve.
Ndërsa z. el-Duejni shprehu gatishmërinë e institucionit të tij për intensifikimin e bashkëpunimeve ndërinstitucionale në shërbim të islamit dhe myslimanëve në të dyja vendet.
Gjithashtu ai i përcolli Kryetarit Spahiu edhe ftesën e Imamit të Madht të Al-Az’har për të zhvilluar një takim midis tyre në një të ardhme të afërt.
Në fund të takimit midis tyre u shkëmbyen edhe dhuratat simbolike.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë përmbyll sot vizitë e tij 3 ditore në Egjipt.