Më datë 30 tetor, 2021, Myftinia e Dibrës zhvilloi një event kulturor/fetar në kuadër të muajit të lindjes së Profetit Muhamed (a.s.)

I ftuar në këtë event ishte edhe Kryetari i Komunitetit Mysliman, Haxhi Bujar Spahiu.

Në një atmosferë të ngrohtë ku ishin të pranishëm, Myftiu i Dibrës, z. Muis Kurtulla, stafi i myftinisë,  përfaqësues të pushtetit lokal, besimtarë e qytetarë të shumtë, u përkujtua “Krenaria e Njerëzimit”, Muhamedi (a.s.)

Myftiu Kurtulla tha se aktivitete të tilla janë një traditë e hershme e krahinës së Dibrës, ku së bashku përkujtojmë profetin tonë të nderuar.

Ai falënderoi Kryetarin Spahiu për pjesmarrjen e tij dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë.

Kryetari Spahiu gjatë fjalës së tij renditi disa mesazhe e porosi për besimtarët e pranishëm, por edhe më gjerë.

 

-Fjala e plotë:

 

“Jam pak vonë me ardhjen në Dibër, por siç të gjithë e dimë, kushtet kanë qenë të tilla prej pandemisë.

Jemi mbledhur sot këtu për të kujtuar të dërguarin e Allahut, Profetin Muhammed (a.s).

Ju keni një traditë të mirë e shumë të hershme në këtë përkujtim, siç edhe e theksoi myftiu i nderuar.

Motra dhe vëllezër, Profeti ynë i dashur është një nga mirësitë më të mëdha që Allahu (xh.sh.) na ka dhënë neve.

Ne jemi ymet i një profeti shembull, një profeti që bëri jetë modeste dhe të thjeshtë.

Ishte i shquar për fisnikërinë dhe ndershmërinë e tij, madje atë e quanin me titullin el-emin, i besueshëm.

Për të shmangur çdo lloj atributi hyjnor që mund t’i jepet, ne e thërrasim atë rob dhe i Dërguar i Zotit.

Ne myslimanët e kemi pjesë të vazhdueshme në lutjet tona falënderimin ndaj Allahut që na ka hapur zemrëm e na ndriçuar me islam dhe na ka dërguar Muhamedin (a.s.).

Profeti Muhammed (a.s.), është shembulli më i përsosur për t’u ndjekur.

Ai është vulë e të gjithë profetëve.

Në qenien e tij, mishërohen shfaqjet më fisnike të karakterit njerëzor, si prijës, mësues, bashkëshort, prind, shok, etj.

Sjellja dhe veprat e tij janë udhërrëfyese edhe sot për miliona njerëz anë e mbanë botës.

Profetin tonë nuk ka arritur askush ta përbaltë, megjithë mundimet e kota. Po kujtoj këtu një pasazh të John William Draper i cili thotë në një nga librat e tij si vijon:

“Katër vjet pas vdekjes së Justinianit, në vitin 569, në Mekë lindi një person, i cili provoi ndikimin më të madh mbi racën njerëzore, ai ishte Muhamedi (a.s.). Te Muhammedi gërshetoheshin ato veti, që vendosën për fatin e shumë perandorive dhe rrjedhën e historisë njerëzore. Ai ishte predikues, por edhe komandant, shprehës në foltore dhe në fushë betejë dilte si trim. I gjithë thelbi i fesë së tij ishte vetëm kaq: “Zoti është një”.

Motra dhe vëllezër, kemi barrë të rëndë mbi supe, nëse i themi vetes myliman, popull i Muhamedit (a.s.) duhet që të ndjekim me përpikmëri Kuranin dhe Sunnetin.

Ne nuk duhet ta ngarkojmë veten me punë e diskutime të kota, ngarkesa që ne duhet të marrim mbi supe është përmirësimi i gjendjes sonë dhe shoqërisë ku bëjmë pjesë, përmes rregullave të dëlirësisë së kësaj feje të pastër, siç është islami. Vetëpërmbajtje, agjërim dhe lutje.

Karshi të gjitha punëve të tjera, t’i japim rëndësi çdo pune që profeti (a.s.) ka vepruar që quhet sunneti.

Siç besoj e keni parë, para dy ditësh kisha për vizitë Ministrin e Arabisë.

Ndër të tjera, pashë te ai një këmbëngulje për të pastruar fenë tonë nga gjëra që nuk i përkasin asaj.

Përvoja jo të mira, siç edhe më pohoi, i kanë shtyrë ata të ndërmarrin një aksion të gjerë dhe të pa precendetë.

Jemi feja e paqes dhe jo ashpërsisë, jemi populli i një profeti të urtë e jo të vrazhdë, kështu duhet edhe të çojmë mesazhin te njerëzit.

Pra, ç’na mungon ne? Allahun e kemi, shembullin se si përhapet dhe jetohet feja e kemi, ne nuk na mungon asgjë, ne nuk mund të kemi nesër para Allahut asnjë justifikim, ne thjesht duhet të veprojmë atë që na ka porositur Zoti (xh.sh.). Të jetë islami mënyrë jetese, mos mbetet vetëm në kuadrin e retorikës.

Nuk është feja jonë retorikë, feja jonë është jetë.

Ne duhet të ecim mbi disa parime që ndikojnë edhe për njerëzit rreth e rrotull nesh, që ndoshta nuk ua ka bërë Zoti rrisk besimin akoma.

Të jemi të arsyeshëm, të drejtë, gjakftohtë e të logjikshëm. Fjalët dhe veprat tona të burojnë nga Kurani Famëlartë dhe sunneti i Profetit (a.s.).

O Zot! Lartësoje Muhammedin dhe popullin e tij, ashtu siç e madhërove Ibrahimin dhe popullin e tij! Me të vërtetë, Ti je i Lavdëruar dhe i Nderuar!

O Zot! Bekoje Muhammedin dhe popullin e tij, ashtu siç e bekove Ibrahimin dhe popullin e tij! Me të vërtetë, Ti je i Lavdëruar dhe i Nderuar!

Ju falënderoj për ftesën dhe mikpritjen tuaj!