Kryetari i Komunitetit Mysliman, H. Bujar Spahiu, mbajti një fjalë në konferencën ndërkombëtare që po zhvillohet në Mekë të Arabisë Saudite.
Kryetari Spahiu zhvilloi gjithashtu edhe shumë takime me personalitete nga 85 vende të ndryshme të botës, pjesëmarrës në konferencë.
Më poshtë fjala e z. Spahiu:
Paqja, bekimi dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ju!
Komunitetet myslimane dhe myftinitë e shteteve në mbarë botën mbartin një përgjegjësi dhe një amanet mjaft të lartë në përçimin e fesë së bukur islame në vendet ku kryejnë aktivitetin e tyre.
Një prej këtyre përgjegjësive më të rëndësishme është kujdesi për çështjet e myslimanëve në vendet e tyre, veçanërisht në çështjen e fetvave, dhe mos lënia hapur e dyerve për fetva ekstremiste që thërrasin për urrejtje dhe rebelim.
Po kështu, u takon atyre që të kontribuojnë aktivisht në mbështetjen e stabilitetit dhe paqes kombëtare brenda vendeve të tyre, duke promovuar ideologjinë e moderuar që rrjedh nga Libri i Allahut të Plotfuqishëm, Kurani, dhe Tradita e Profetit tonë Muhamed, paqja e Allahut qoftë mbi të.
Lufta kundër ideologjive radikale dhe ekstremiste, siç u tha nga shumë drejtues të lartë të nderuar në këtë konferencë, është e domosdoshme për të mbështetur stabilitetin dhe paqen globale dhe duke bërë përpjekje të vazhdueshme në këtë drejtim.
Kjo konferencë e madhe ndërkombëtare vjen në një kohë kur bota ka më shumë nevojë për sqarim dhe orientim.
Rëndësia e saj buron nga fakti se mbahet në vendin më të bekuar të botës, me një organizim dhe përgatitje të mrekullueshme nga Ministria e Çështjeve Islame në Mbretërinë e Arabisë Saudite, e përfaqësuar nga Shkëlqesia e Tij Ministri Abdul-Latif bin Abdul-Aziz Al-Shejh, Zoti i Madhëruar e ruajtë.(!)
Është vazhdimësi e qasjes së moderuar që ka ndjekur Mbretëria e Arabisë Saudite që nga themelimi i saj e deri më tani, nën udhëheqjen e Kujdestarit të Dy Xhamive të Shenjta, Mbretit Salman bin Abdulaziz, Zoti i Madhëruar e ruajtë atë dhe Princin e Kurorës Muhamed bin Salman.(!)
Lusim Zotin e Madhërishëm që të ruajë qeverinë dhe popullin e Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe të përjetësojë dobinë e saj për muslimanët në veçanti dhe për njerëzimin mbarë dhe secilin nga vendet pjesëmarrëse në këtë panel e jashtë tij.
Shqipëria është dhe do të mbetet, me lejen e Zotit, një model i shkëlqyer për t’u marrë nga shumë vende të tjera.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, të cilin unë kam nderin të përfaqësoj sot këtu, është në pararojë të mesazheve që dalin nga të tilla konferenca e panele diskutimi.
E lus Zotin për paqe, stabilitet dhe prosperitet, e ç’është më e rëndësishmja vëllazëri e respekt reciprok mes popujve, feve e kulturave të ndryshme!
Zoti na ka krijuar në popuj e fise që të bashkëveprojmë mes nesh, të jemi faktor paqeje e stabiliteti në tokë dhe jo kundërta.