amb.izraelit

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Selim Muça, priti në një takim  paraditen e sotme ambasadorin e Izraelit në Tiranë, z. David Cohen.

Ambasadori Cohen e falënderoi Kryetarin Muça për pritjen, duke shprehur kënaqësinë e madhe që ushtron detyrën e tij në një vend i cili shquhet për mirëkuptimin dhe tolerancën fetare. “Jam shumë i lumtur që shërbej në një vend që ka të zhvilluar mirëkuptimin dhe bashkëjetesën paqësore fetare”, u shpreh z. Cohen.

Gjithashtu, ai e falënderoi Kryetarin Muça për mbështetjen e madhe dhënë popullit izraelit, sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku siç theksoi ai, shqiptarët e të gjitha feve, rrezikuan jetën e tyre në mbrojtje të hebrenjve, duke merituar respektin dhe vlerësimin e tyre ndër breza.

Nga ana e tij z. Muça e falënderoi z. Cohen për vizitën dhe i shprehu atij urimet më të përzemërta për detyrën e tij në vendin tonë. Ai vlerësoi faktin se Izraeli ka qenë një mik i mirë për shqiptarët në periudha të ndryshme historike. “Më vjen mirë që tani kemi edhe në Shqipëri një përfaqësi të Izrealit, e cila do të kontribuojë për njohjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve mes dy popujve tanë miq”, tha kreu  i KMSH.

Kryetari Muça, duke iu referuar fjalëve të ambasadorit Cohen, theksoi se Shqipëria ka pasur dhe do të ketë marrëdhënie të mira me vende që e duan dhe janë pro paqes. “Marrëdhëniet mes dy popujve tanë, edhe pse larg me kufij, kanë qenë të hapura dhe të bazuara në respekt dhe vlerësim të kulturës dhe traditave të njëri-tjetrit”, tha z. Muça.

Gjatë takimit, Kryetari Muça e njohu z. Cohen me veprimtarinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në këto dy dekada në shërbim të besimtarëve dhe kontributin e tij për zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Ai u ndal gjithashtu edhe në tolerancën fetare në Shqipëri, teksa theksoi se ajo është tregues i asaj se kur ekziston dëshira dhe vullneti për dialog të gjitha barrierat bien.

Ndërsa ambasadori Cohen e përgëzoi Kryetarin Muça për punën e tij dhe të stafit që ai drejton në shërbim të Islamit dhe myslimanëve dhe vlerësoi maturinë e institucionit në drejtim të konsolidimit të bashkëjetesës mes komuniteteve fetare dhe masave të besimtarëve. “Kujdesi juaj në këtë drejtim më jep shpresë se ky mirëkuptim do të rritet dhe do të vazhdojë të jetë një element karakterizues i shqiptarëve edhe në të ardhmen”, tha z. Cohen. Më tej z. Cohen e ftoi Kryetarin Muça për një vizitë në Izrael, pasi sikurse theksoi ai, në këtë shtet gjenden shumë objekte dhe vende me vlera fetare, historike dhe kulturore që janë me rëndësi edhe për pasuesit e Islamit.

Ndërkaq, z. Muça pasi e falënderoi ambasadorin për ftesën, shprehu kënaqësinë e tij për këtë vizitë miqësore e të përzemërt, duke garantuar se ajo do t’i hapë rrugën bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy institucioneve.

 

/Drita Islame/