Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Arqipeshkvi i Tiranë – Durrës, Imzot George Frendo ka uruar Kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiun me rastin e zgjedhjes së tij në krye të këtij institucioni.

Urimi i plotë vijon si më poshtë:

Shumë i nderuar Kryetar,

Ju uroj përzemërsisht për zgjedhjen tuaj si Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Kam vlerësuar shumë çfarë keni thënë në fjalimin tuaj pas zgjedhjes, se puna juaj parësore do të jetë ruajtja dhe forcimi i harmonise e dialogut ndërfetar në Shqipëri, dhe se jeni vendosur të luftoni çdo lloj ekstremizmi.

Ju uroj të arrini këtë qëllim, duke ndjekur gjurmët e paraardhësve tuaj, z. Selim Muça dhe z. Skendër Bruçaj, të cilët i kam njohur më nga afër.

Zoti Kryetar, në fjalimin tuaj keni thenë: “Unë i lutem Zotit të më nderojë dhe të më bëjë të mundur të jem i drejtë në këtë detyrë kaq të vështirë”. Dhe u keni kërkuar anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman: “Ju lutem shumë edhe juve, lutuni për mua, lutjuni Zotit që të ma bëjë më të lehtë këtë barrë”.

I dashur Kryetar, Ju siguroj se edhe unë do të lutem për ju. Jam i bindur se Zoti nuk do të mungojë t’ju ndriçojë dhe t’ju forcojë në këtë detyre.

Në emrin tim personal dhe në emrin e Konferencës Ipeshkvore, ju përshendes përzemërsisht.

Imzot George Frendo

Arqipeshkvi i Tiranë – Durrës

Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë