brucaj-nishani (1)

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Skender Bruçaj, ka zhvilluar një takim miqësor me Presidentin e Republikës z. Bujar Nishani.

Kreu i Shtetit, në mesazhin e Tij të përcolli urimet më të mira dhe të sinqerta për Kreun e ri të Komunitetit Mysliman, duke shprehur dëshirën dhe bindjen për sukses në misionin e rëndësishëm që kjo detyrë e lartë dhe e nderuar kërkon në shërbim të njerëzve, e mbi të gjitha që çon në  plotësimin e shpirtit të shqiptarit mysliman të mbushur me virtytet më të mira.

brucaj-nishani (3)Kryetari i Komunitetit Mysliman, falënderoi përzemërsisht Presidentin Nishani për pritjen e rezervuar dhe shprehu kënaqësinë që vizitën e tij të parë e kryente në zyrën e Kreut të Shtetit. Në fjalën e tij, Kryetari i Komunitetit Mysliman parashtroi përpara Kreut të Shtetit synimet e tij që lidhen me gjithëpërfshirjen e çdo vlere pozitive që vjen nga çdo besimtar mysliman si dhe rolin pozitiv që ky komunitet do të vijojë të luajë në vijimësi për zhvillimet demokratike të vendit.

brucaj-nishani (2)

“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është një institucion me traditë në Shqipëri dhe unë ju siguroj se do të vazhdojë këtë traditë, duke konsoliduar përherë e më tepër vlerat e besimit dhe traditat me të bukura shqiptare në shoqërinë tonë. Unë ju shpreh gatishmërinë time dhe të institucionit që drejtoj për të bashkëpunuar për çdo nismë që është në të mirë të vendit dhe qytetarëve shqiptarë”, u shpreh kryetari Bruçaj.

Presidenti Nishani, në fjalën e Tij, u ndal edhe tek rëndësia dhe kontributi pozitiv që besimi fetar dhe ai mysliman në veçanti, si besimi më i madh në vend, ka luajtur në historinë e vendit tonë dhe se ne kemi nevojë, në ditët e sotme ku shoqëria shqiptare ballafaqohet me sfida të ndryshme, të nxjerrim akoma më në pah shpirtin unitar.  “Në këtë kontekst, roli i Komunitetit Mysliman dhe Juaji si Kryetar i nderuar i këtij Komuniteti është shumë i rëndësishëm. Si President i Republikës ju shpreh vullnetin tim të plotë për t’ju mbështetur fuqimisht në çdo iniciativë Tuajën dhe të Komunitetit Mysliman që përçon këto vlera”,  u shpreh më tej Presidenti Nishani.

Në vijim, Kreu i Shtetit, shprehu falënderimet dhe mirënjohjen ndaj kontributit të madh të dhënë nga ish kryetari i Komunitetit Mysliman, Haxhi Selim Muça, si dhe filozofëve dhe mendimtarëve të këtij Komuniteti, përgjatë kohëve të ndryshme, në konsolidimin dhe promovimin e vlerave pozitive që besimi mysliman ka përçuar në popullin tonë, duke shërbyer si një themel i fortë në ruajtjen e gjuhës, traditave dhe mbrojtjen e parimeve të shëndosha mbi të cilat duhet të ndërtohet një shoqëri.

 18 Mars 2014

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2021 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë