Turqi- Brucaj (5)

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë po zhvillon një vizitë zyrtare, dy ditore, në Komunitetin Mysliman të Turqisë (DIYANET).

Paraditen e sotme kreu i KMSH-së z. Skender Bruçaj, ka takuar kreun e DIYANET-it, Prof. Dr. Mehmet Gormez, i cili i ka shprehur kënaqësinë dhe urimet e përzemërta për zgjedhjen e tij në krye të KMSH-së.

Në takim u bisedua për problemet dhe shqetësimet e myslimanëve në rajon, si fatkeqësia në minierën e Somas në Turqi, ku kreu i KMSH-së ka përcjellë ngushëllimet më të sinqerta në emër të myslimanëve shqiptarë, si dhe për përmbytjet e fundit në Bosnjë dhe Hercegovinë, për të cilën KMSH ka shpallur fushatën e mbledhjes së ndihmave financiare, fushatë kjo e nisur edhe nga DIYANET-i, kërkuar nga vetë Bashkësia Islame e Bosnjës.

“Në Shqipëri është kënduar Kur’an dhe janë bërë lutje (dua) për shpirtin e atyre, që ndërruan jetë në minierat e Somas. Ne lutemi për shpirtin e tyre dhe Zoti i pranoftë në Xhenetet e larta”, ka thënë kryetari Bruçaj.

Në takim u bisedua edhe për projektet aktuale të përbashkëta mes KMSH-së dhe DIYANET-it dhe atyre që do të vijnë në vazhdim.

Kryetari Bruçaj u shpreh se pavarësisht lidhjeve vëllazërore, që kemi mes dy vendeve, ajo çka na bashkon më tepër është çatia e Islamit dhe se shpreson që në të ardhmen do të hidhen hapa për projekte të tjera të përbashkëta.

Ndërsa Kreu i Komunitetit Mysliman të Turqisë Prof. Gormez, ndër të tjera u shpreh se, “shqiptarët myslimanë janë vëllezërit tanë në besim me të cilët ndajmë histori dhe kulturë të përbashkët.”

“Kemi detyra dhe përgjegjësi të mëdha e të ndërsjella ndaj njëri-tjetrit. Ne e dimë që vëllezërit tanë në Shqipëri kanë kaluar sprovën më të madhe, atë të komunizmit, ku myslimanët shqiptarë u persekutuan dhe u përballën me presionin për zhdukjen e identitetit të tyre islam. Nisur nga kjo, besoj se KMSH ka forcën dhe përgjegjësinë për të punuar më shumë nga të gjitha bashkësitë islame të rajonit.”, shtoi z. Gormez.

Xhamia e Madhe e Tiranës

Gjithashtu në takim u bisedua edhe për Xhaminë e Namazgjasë në Tiranë, për të cilën z. Gormez u shpreh se ky është një projekt në vazhdim, ku aktualisht ka mbaruar projekti i Xhamisë, për të cilën ka dhe një marrëveshje dypalëshe.

“Shpresoj që në një kohë sa më të shkurtër të fillojë ndërtimi i saj dhe brenda dy viteve të jetë e hapur për besimtarët myslimanë të Tiranës”, tha Gormez.

Kreu i KMSH-së shoqërohet nga nënkryetari H. Bujar Spahiu, Drejtori i Kabinetit z. Oltion Kola si dhe Drejtori i Arsimit në KMSH z. Astrit Zharri.

22 Maj 2014

Turqi- Brucaj (6) Turqi- Brucaj (4) Turqi- Brucaj (3)Turqi- Brucaj (1)

 

Pajtohuni

Regjistrohuni në listën tonë të POSTIMEVE


© Të gjithë të Drejtat e Rezervuara 2021 Komuniteti Mysliman i Shqipërisë