Me rastin e muajit të Bekuar të Ramazanit, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu dhe nënkryetari i KMSH-së, z. Lauren Luli vizituan Myftininë e Korçës.

Fillimisht kryetari i KMSH-së ishte për ligjëratë para namazit të akshamit në Xhaminë e Medresesë së Korçës. Gjatë fjalës së tij, kreu i KMSH-së foli mbi mirësitë dhe vlerat e muajit të Ramazanit.

“Gjatë këtij muaji besimtari është i përfshirë nga një atmosferë shpirtërore. Ramazani bën të mundur që ta largojë njeriun nga veset e këqija, sëmundjet shpirtërore, urrejta dhe smira. Ky muaj është një ofertë për besimtarët për të përmirësuar raportin dhe lidhjen me Zotin, me veten dhe me njerëzit”, tha ndër të tjera kreu i KMSH-së.

Ndërkohë myftiu i Korçës, z. Ledian Cikalleshi falënderoi kryetarin për vizitën dhe shtoi se ky muaj është muaj i vëllazërimit dhe begatisë.

Pas faljes së namazit, kreu i KMSH-së, nënkryetari, myftiu i Korçës, imamë të këtij rrethi dhe besimtarë të shumtë morën pjesë në iftarin që kjo myftini shtron për agjëruesit në ambientet e xhamisë.

Vizita e kryetarit vijoj me takimin e imamëve të zonës së Korçës. Gjatë këtij takimi kreu i KMSH-së foli mbi mënyrën e kumtimit të mesazhit hyjnor në formën e duhur dhe u njoh më nga afër me situatën dhe aktivitetet e xhamive.

“Detyra e imamit është detyrë profetike. Qëllimi kryesor është predikimi sa më i mirë dhe sa më i qartë tek njerëzit. Kjo detyrë ka një rëndësi shumë të veçantë dhe secili nga ne duhet të jetë shumë i kujdesshëm me sjelljet dhe veprimet e tij”, tha Spahiu.

Gjithashtu kryetari i KMSH-së vizitoi Xhaminë e Mirahorit, ku pas namazit të jacisë mbajti një ligjëratë të shkurtër, duke u fokusuar mbi begatitë dhe vlerat e adhurimeve në këtë muaj.

Në fund u zhvillua një vizitë edhe në ambientet e myftinisë, ku myftiu i Korçës, z. Ledian Cikalleshi e njohu kryetarin më nga afër mbi ecurinë dhe mbarëvajtjen e punëve në këtë myftini.