Me rastin e muajit të Bekuar të Ramazanit, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu dhe Drejtori i Burimeve Njerëzore pranë KMSH-së, z. Aurel Cani vizituan Myftininë e Korçës.
Kryetari u prit në myftini nga myftiu i Korçës, z. Ledian Cikalleshi, i cili e njohu kryetarin më nga afër mbi ecurinë dhe mbarëvajtjen e punëve në këtë myftini dhe në veçanti me aktivitetet e muajit të Ramazanit.
Më pas kryetari i KMSH-së ishte për ligjëratë para namazit të akshamit në Xhaminë e Medresesë së Korçës, ku u shoqërua nga myftiu i Zonës Korçë, H. Ledian Cikalleshi dhe Myftiu i Rrethit Devoll Z. Edmond Ceni, imamët e zonës dhe besimtaret.
Myftiu i Korçës, z. Ledian Cikalleshi falënderoi kryetarin për vizitën dhe shtoi se ky muaj është muaj i vëllazërimit dhe begatisë.
Ne takim përshëndeti edhe Myftiu i Rrethit Devoll Z. Edmond Ceni.
Gjatë fjalës së tij, kreu i KMSH-së H. Bujar Spahiu foli mbi vlerën e Natës se Kadrit në muajit të Ramazanit.
Pas faljes së namazit kryetari, dy myftinjtë e zonës, imamë të këtij rrethi dhe besimtarë të shumtë morën pjesë në iftarin që kjo myftini shtroi për agjëruesit në ambientet e xhamisë.
Vizita e kryetarit vijoj me takimin e imamëve të zonës së Korçës.
Gjatë këtij takimi ai foli mbi mënyrën e kumtimit të mesazhit hyjnor në formën e duhur dhe u njoh më nga afër me situatën dhe aktivitetet e xhamive.
“Detyra e imamit është detyrë profetike. Allahu e ka lartësuar këtë detyrë, duke bërë që t’i dëgjohet fjala para njerëzve. Është detyrë e secilit nga ne të jetë shumë i kujdesshëm me sjelljet dhe veprimet e tij, për ta mbajtur atë në lartësinë e duhur”, tha Spahiu.