Të dashur nxënës!

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, ju uroj nga zemra një vit sa më të mbarë dhe të suksesshëm në rrugën tuaj drejt kërkimit të diturisë dhe një të ardhmeje të artë.

Kur’ani Fisnik dhe porositë profetike inkurajojnë njerëzit që të mësojnë e të thellohen në njohuritë e fushave të ndryshme, bazuar në versetin e parë kuranor të zbritur Profetit Muhamed a.s.: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi”.

Të nderuar mësues!

E ardhmja e një vendi është e lidhur ngushtë me rëndesinë që i kushton arsimimit dhe edukimit të brezit të ri, bazuar në vlerat universale dhe standartet më të mira ndërkombëtare, me synimin e përsosjes së njeriut në dimensionet shpirtërore, intelektuale dhe fizike, si krijesa më e përsosur e Zotit të Gjithdijshmit.

Shkolla është një laborator jete, është vendi i mësimit, i edukimit dhe i skalitjes së virtyteve dhe cilësive më të mira, të nevojshme për te perballuar sfidat e jetës.

Uroj për të gjithë nxënësit, prindrit, stafin pedagogjik, drejtuesit e institucioneve arsimore një vit të mbarë e të suksesshëm shkollor.

Zoti ju bekoftë në rrugën e bukur të dijes!

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

Skender Brucaj