Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Skender Bruçaj, zhvilloi sot një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Arkivit Qendror të Shtetit, z. Ardit Bido.

Takimi u organizua në kuadër të finalizimit të projektit për dixhitalizimin e Fondit Arkivor të KMSH-së në Arkivin Qendror të Shtetit.

Dy drejtuesit e institucioneve përkatëse shprehën kënaqësinë për përfundimin me sukses të kësaj marrëveshjeje të rëndësishme bashkëpunimi.

Projekti i digjitalizimit zgjati 2 vite dhe u skanuan rreth 500 mijë faqe me shkresa, dokumente dhe materiale të ndryshme.

Për skanimin e arkivës janë përdoruar teknika dhe mjete bashkëkohore, duke realizuar një digjitalizim mjaft cilësor.

Drejtoria e Vakf-Investimeve në bazë të materialeve të siguruara nga digjitalizimi i arkivës ka aplikuar për njohje pronësie për rreth 150 dosje.

Të gjitha materialet e skanuara janë në proces indeksimi sipas tematikave dhe dosjeve përkatëse.

Dy drejtuesit e institucioneve gjithashtu shprehën gadishmërinë e bashkëpunimit edhe në projekte të tjera.

Projekti përfshinte skanimin e plotë të Fondit të Komunitetit Mysliman pranë Arkivit Qendror të Shtetit, i përbërë nga qindra mijëra faqe dokumente historike, që nga koha e pavarësisë më 1912, deri më 1923 dhe më pas me themelimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Është skanuar i gjithë komunikimi zyrtar, marrëdhëniet e KMSH-së me institucione të ndryshme zyrtare, shtetërore, myftinitë, medresetë, etj, deri në mbylljen e tij më 1967. Vlen për t’u theksuar se Arkiva mbetet një pasuri e rrallë, që vlen jo vetëm për ruajtjen e historikut institucional, por edhe një burim i pashtershëm për të zhvilluar studime të ndryshme në të ardhmen.