Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj priti në një takim pune ambasadorin e Austrisë në Shqipëri, z. Johann Sattler.

Bashkëbisedimi ndërmjet tyre preku një sërë tematikash të ndryshme, veçojmë këtu organizimin e Konferencës Ndërkombëtare rreth Dialogut Ndërfetar, me temë: “Shqipëria, model i bashkëjetesës ndërfetare për Europën”, e cila do të zhvillohet muajin e ardhshëm me datë 3 maj në ambientet e Hotel Rogner.

Kjo konferencë vjen si bashkëpunim i Ambasadës së Austrisë në Tiranë, KMSH-së, Kolegjit Universitar Bedër, Shkollës së Lartë Logos dhe Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”.

Në këtë konferencë do të marrin pjesë personalitete të shquara nga vendi dhe bota.

Punimet e konferencës do të përshëndeten nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z. Ilir Meta, Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, Ministrja për Europën dhe Politikat e Jashtme e Austrisë, znj, Karin Kneissl dhe Ambasadori i Austrisë në Tiranë, z. Johann Sattler.

Pjesë e paneleve do të jenë përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri, dhe studiues nga vendi rajoni e më gjerë.

Në takimin e zhvilluar sot në ambientet e KMSH-së ishte i pranishëm gjithashtu edhe rektori i Kolegjit Universitar Bedër, z. Ferdinand Gjana, ku diskutuan me ambasadorin për bashkëpunime të mëtejshme në fusha të ndryshme ndërmjet institucioneve që ata drejtojnë.