zv-ambasadori amerikan

Kryetari i KMSH-së pret zv/ambasadorin amerikan

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Skender Bruçaj priti në  një takim zëvendës ambasadorin amerikan Henry V. Jardine.

Z. Jardine përcolli përgëzimet në emër të ambasadorit amerikan në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu, për zgjedhjen e z. Bruçaj në krye të KMSH-së dhe uroi që Komuniteti Mysliman të vazhdojë traditën e bukur që ka pasur deri më sot në konsolidimin e vlerave fetare.

Ne mesazhin e urimit të ambasadorit Arvizu ndër të tjera thuhej “Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në historinë fetare në vend dhe është një model edhe për kombet e tjera.

Unë dëshiroj të punoj me ju për të promovuar liritë fetare dhe tolerancën në Shqipëri. Shqipëria është një vend mik me vlera për Shtetet e bashkuara të Amerikës.

Institucioni që ju drejtoni  ka kontribuar në një shoqëri civile të fuqishme dhe në një partneritet të shkëlqyer mes dy kombeve. Dua të shpreh gatishmërinë time të plotë në mbështetje të punës tuaj në krye të KMSH-së.”

Kryetari Bruçaj falënderoi ambasadorin Arvizu dhe z. Jardine për urimet e përzemërta dhe e siguroi se institucioni që ai drejton do të vazhdojë të mbajë të njëjtin qëndrim në vazhdimësi të traditës së promovimit të vlerave universale islame dhe përçimit të bukurive të besimit.

Z. Bruçaj u shpreh se rruga jonë është drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe për këtë Komuniteti Mysliman do të luajë rolin që i takon.

Gjatë takimit u fol edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta për të pasqyruar vlerat e besimit dhe demokracisë në Shqipëri.

12 Mars 2014