Gjatë kësaj fundjave, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu ndodhet në Egjipt, me ftesë të Ministrit të Çështjeve Fetare të Egjiptit, z. Muhamed Mukhtar Xhuma, ku po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga kjo ministri, me temë: “Dialogu ndërmjet feve dhe kulturave”, konferencë e cila zhvillohet nën kujdesin e Presidentit të Republikës së Egjiptit, Shkëlqesisë së Tij, Abdulfetah el-Sisi.

Pjesëmarrësit në këtë konferencë janë kryesisht personalitete dhe dijetarë, drejtues institucionesh fetare, studiues, ministra të çështjeve fetare nga vende të ndryshme të botës.

Gjatë punimeve të konferencës, z. Spahiu ishte ndër panelistët e përzgjedhur, ku mbajti kumtesën e tij, në të cilën theksoi rëndësinë e dialogut ndërfetar për njerëzimin dhe u shpreh se Shqipëria me harmoninë ndërfetare që ka është një model për rajonin dhe Evropën.

“Dialogu është gjithmonë çelësi për zgjidhjen e problemeve dhe të konflikteve të popujve dhe pikënisje për to drejt një të ardhmeje me zhvillim e harmoni të bazuar mbi respektin për tjetrin dhe dobinë e ndërsjellë ndërmjet të gjitha shtresave, gjë e cila sjell prosperitet e begati në nivel popujsh e kombesh.” – theksoi ai gjatë fjalës së tij.

Gjithashtu kryetari Spahiu dha disa intervista për televizione e media të ndryshme.