“Roli i të Diplomuarve të al-Azhar në Konsolidimin e Metodologjisë së Mesatarizmit dhe në Promovimin e Sigurisë Ideologjike”.
Kjo konferencë u thirr nga Imami i Madh, Shkëlqesia e tij Prof. Dr. Ahmed al-Tajib dhe u organizua nga Organizata Botërore e të Diplomuarve të Al-Az’har.
Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin përfaqësues e drejtues të lartë fetarë të diplomuar nga Al-Az’har nga mbi 30 vende të ndryshme të botës.
Qëllimi i saj ishte forcimi i marrëdhënieve ndërmjet Al-Az’har dhe të diplomuarve të tij në funksion të përçimit të mesazhit sublim fetar.
Më poshtë ju ftojmë të lexoni të plotë fjalën e Kryetarit Spahiu:
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit.
Falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e Botëve, ndërsa paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi Profetin Muhamed (a.s.).
Të nderuar vëllezër dhe motra,
të gjitha falënderimet dhe vlerësimet shkojnë për universitetin Al-Az’har Al-Sharif, të përfaqësuar nga Imami i Madh dhe të gjithë dijetarët e punonjësit e tij për përpjekjen e madhe që ata bëjnë për të përçuar një mesazh fisnik me bazë mëshirën dhe metodologji mesatarizmin e moderimin, dhe kjo është mënyra se si e kemi njohur Al-Az’har-in dhe rolin e tij përgjatë gjithë kohës.
Al-Az’har Al-Sharif ka pasur një rol të madh gjatë gjithë historisë së tij të gjatë në promovimin e kurrikulës së arsimit islam bazuar në origjinën e tij me reputacion, përveç kurikulës arsimore, si morale ashtu edhe të sjelljes, duke konsoliduar metodën e moderimit dhe të mesatares dhe rritjen e sigurisë ideologjike te studentët e tij, qofshin ata vendas apo të ardhur.
Për më shumë se dhjetë shekuj, shkëlqimi dhe kontributi Al-Az’har Al-Sharif vetëm sa vjen e shtohet pavarësisht nga rrethanat dhe pengesat që ka hasur gjatë rrugës.
Të kryesuar nga Imamët e Mëdhenj të periudhave përkatëse, brez pas brezi, dijetarët e shquar të Az’harit e kanë kryer më së miri këtë mision fisnik deri kur në krye të këtij institucioni erdhi Imami i Madh, Ahmed al-Tajib, Zoti e ruajtë.
Periudha nën drejtimin e tij ka qenë dhe vazhdon të jetë një kohë e begatë, rilindjeje dhe drite për të gjithë besimtarët myslimanë, kjo pasi mesazhi i Al-Az’harit është universal, nuk kufizohet nga kufijtë gjeografikë ose sezonalë dhe mbart mirësi e dritë për të gjithë botën.
Pikërisht nga kjo mirësi e madhe burojnë aktivitete të begata si ky i sotmi që bashkon të diplomuarit e Al-Az’har në mënyrë që të mbahet gjallë lidhja ndërmjet tyre dhe institucionit që i ka rritur, e ata ta përfaqësojnë më së miri atë duke u bërë fanar të mirësisë, udhëzimit, dijes, dashurisë dhe dobisë për të gjithë botën, thirrës për te e mira, krenaria e shëndetshme, dashuria, toleranca dhe paqja.
Jam krenar, që dikur kam qenë student në Al-Az’har dhe pastaj u bëra një nga të diplomuarit e këtij tempulli prestigjoz të dijes.
Sot jam këtu në vendin tim, në krye të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, duke bartur këto mesazhe kaq të vyera e duke lutur Zotin e Plotfuqishëm që t’ju shpërblejë në emrin tonë përjetësisht.
Shpresojmë që bashkëpunimi midis jush dhe nesh të vazhdojë dhe të na përfshini me vëmendjen tuaj për të mirën e vëllezërve tuaj myslimanë në Republikën e Shqipërisë.
Të gjitha falënderimet dhe vlerësimet maksimale shkojnë për Shkëlqesinë e Tij, Imamin e Madh, Dr. Ahmed al-Tajib, si dhe për të gjithë dijetarët, studentët dhe punonjësit e Al-Azhar.
Si përfundim, kam kënaqësinë të shpreh urimet e mia më të sinqerta, me falënderime e vlerësime për Organizatën Botërore të të Diplomuarve të Al-Az’har për organizimin e këtij takimi tepër të vlefshëm.
Paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qofshin mbi ju!