Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj ka pritur në një takim pune, z. Jean-Christophe Peaucelle, këshilltar për Çështjet Fetare në Ministrinë Franceze të Evropës dhe Punëve të Jashtme, i cili shoqërohej nga ambasadorja e Francës në Shqipëri, Znj. Christina Vasak, dhe Znj. Rose-Anne Bisiaux, këshilltare për Bashkëpunimin dhe Kulturën në Ambasadën e Francës në Shqipëri.

Këshilltari për Çështjet Fetare ndodhet në Shqipëri me kërkesë të qeverisë shqiptare për të asistuar në proçesin e përfshirjes së arsimit fetar në shkollat publike.

Në takim u diskutua mbi rëndësinë e kësaj nisme dhe rolin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në këtë proçes.

Gjithashtu z. Bruçaj i shprehu z. Peaucelle rëndësinë dhe gadishmërinë e KMSH-së për të dhënë kontributin në mbarëvajtjen e këtij projekti.

Z. Jean-Christophe Peaucelle theksoi kontributin e KMSH-së në shoqërinë shqiptare dhe kryesisht në harmoninë ndërfetare.