Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Skender Bruçaj priti sot për një vizitë Presidentin e Kongresit Botëror Boshnjak, Dr. Mustafa Ceric.

Ai ndodhet në Shqipëri prej disa ditësh si “keynote speaker” apo i ftuar special në Konferencën e Parë Ndërkombëtare në Shqipëri në Studimet Islame me temë: “Sfidat e myslimanëve në shoqërinë e shekullit XXI”, e cila u organizua nga KMSH dhe Kolegji Universitar Bedër.

Gjatë takimit kreu i KMSH-së e falenderoi për pjesmarrjen në konferencë dhe e njohu me historikun dhe aktivitetin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Presidenti i Kongresit Botëror Boshnjak, Dr. Mustafa Ceric u shpreh mjaft i kënaqur dhe i nderuar që ndodhej në Shqipëri dhe vlerësoi punën e KMSH-së në shërbim të besimtarëve dhe shoqërisë në Shqipëri.

Bruçaj dhe Dr. Ceric diskutuan edhe për bashkëpunime të mundshme në fusha të ndryshme si: botime, konferenca dhe forume.

Mustafa Ceric gjithashtu është President i Senatit të Akademisë Boshnjake të Shkencave dhe Artit si dhe më parë ka ushtruar detyrën e Myftiut të Përgjithshëm të Bosnje-Hercegovinës.