Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Bujar Spahiu ka marrë pjesë në Konferencën me temë: “Feja si Instrument i Paqes”, e cila organizohet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z. Ilir Meta në bashkëpunim me Departamentin Amerikan të Shtetit.

Konferenca është hapur me fjalën përshëndetëse të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, për të vazhduar me përshëndetjet e Ambasadorit për Liritë Fetare në Departamentin e Shtetit, z. Samuel Brownback, si dhe me përshëndetjet e përfaqësuesve më të lartë të vendeve të rajonit.

Ndërsa në sesionin e dytë ishin të pranishëm përfaqësuesit e Komuniteteve fetare në vend.

Kryetari i KMSH-së në fjalën e tij tha se fryma e besimit i mëson njeriut të jetë respektues me të tjerët, pranues i të ndryshmes dhe diversitetit, si dhe të jetë bashkëpunues me qëllimin e përbashkët për zhvillimin e vendit dhe shoqërisë, emancipimin, integrimin dhe edukimin e saj. Gjithashtu ai tha se në Kur’an spikasin mirëkuptimi, paqja, këshilla për të qenë të drejtë dhe dinjiteti njerëzor.

“Besimi Islam, Kurani dhe Tradita Profetike na sqarojnë shumë qartë frymën e kësaj feje, e cila në thelbin e saj përmban paqen, sigurinë, vëllazërinë, diversitetin, lirinë, drejtësinë, bashkëjetesën fetare dhe ndalon dhunën, radikalizmin dhe ekstremizmin e çdo lloj forme. Profeti Muhamed, gjatë gjithë jetës së tij na ka mësuar të jemi njerëz të paqes, ai ishte i butë, i mëshirshëm, i përulur dhe i ndjeshëm ndaj të gjithëve. Islami i këshillon ndjekësit e tij të falin sa më shumë të jetë e mundur dhe të mos bien pre e ndjenjave të urrejtjes, mërisë ose hakmarrjes”, tha ndër të tjera z.Spahiu.

Në këtë konference ishin gjithashtu të ftuar studiues dhe përfaqësues të institucioneve dhe komuniteteve fetare nga rajoni dhe më gjera të cilët kanë referuar punimet e tyre në sesionet e tjera të konferencës.