Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Bujar Spahiu bashkë me kancelarin e KMSH-së, z. Ylli Cikalleshi morën pjesë në Konferencën e 30-të ndërkombëtare të organizuar nga Këshilli i Lartë për Çështje Islame në Ministrinë e Vakëfeve të Egjiptit dhe nën kujdesin e presidentit, z. Abdulfetah al-Sisi.

Tema e konferencës është: “Studime bashkëkohore rreth jurisprudencës islame të shtetit të së drejtës”.

Në konferencën dy ditore (15-16 shtator) marrin pjesë më shumë se 500 personalitete, drejtues të komuniteteve fetare dhe studiues nga më shumë se 50 vende.

Kryetari i KMSH-së merr pjesë në këtë konferencë me ftesë të ministrit të Vakëfeve, z. Muhamed Mokhtar Xhum’a.

Kryetari i KMSH-së pati rastin që gjatë konferencës të zhvillojë disa takime me zyrtarë të  Ministrisë së Vakëfeve te Egjiptit, studiues si dhe me lider të shteteve të tjera që ishin pjesë e konferencës.

Në këtë konferencë u diskutua rreth shtetformimit bashkëkohor, zgjedhjeve, sistemeve shtetërore moderne, qytetarisë rajonale dhe globale, globalizimit, sistemeve gjyqësore moderne, faktorëve politikë socialë, kulturorë dhe ligjor në formimin e një shteti, zbatimi i gjykimeve të islamit në kohën dhe sistemet politike që jetojmë si dhe dhe këndvështrimi i fikhut (jurisprudencës fetare islame) për çështjet e lartpërmendura.