Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare me temë “Ixhtihadi,[1]domosdoshmëri e kohës sonë – mënyrat, kushtet, personat kompetentë dhe nevoja që kemi për të”, e cila organizohet nga Ministria e Vakfeve e Egjiptit, nën kujdesin e Presidentit të Republikës së Egjiptit, z. Abdulfetah el-Sisi, në datat 24-25 shtator, me ftesë zyrtare të Ministrit Egjiptian të Vakfeve, Mohamed Mokhtar Xhuma.
Si një ndër krerët fetarë pjesëmarrës, kryetari Spahiu mbajti një fjalë përshëndetëse ku foli për rolin e pazëvendësueshëm të ixhtihadit në rrethin e besimtarëve dhe rëndësinë e institucionalizimit të tij.
Një çështje tepër e rëndësishme që u trajtua në këtë konferencë ishte edhe mjedisi.
Z. Spahiu gjithashtu u bëri thirrje të gjithë besimtarëve myslimanë anekënd botës për këtë çështje mjaft të ndjeshme dhe aktuale siç është ajo e përkujdesjes për mjedisin dhe ruajtjes së natyrës që Zoti na ka falur.
Ai tha se myslimanët janë të urdhëruar nga Allahu i plotfuqishëm që të kujdesen për planetin dhe ta mbajnë pastër atë.
“Është detyrë e çdo besimtari të jetë i kujdesshëm ndaj mjedisit dhe gjithësecili duhet të japë kontribut për të patur një mjedis më të pastër dhe ekosistem më të shëndetshëm. Për këtë Zoti thotë në Kuran: “Për shkak të veprave (të këqija) të njerëzve, në tokë e në det janë shfaqur të zeza (bela, skamje, katastrofa, humbje e bereqetit etj.), e për ta përjetuar ata një pjesë të asaj të keqeje që e bënë, ashtu që të tërhiqen (nga të këqijat).” (Rum, 41).”.
Gjatë konferencës në fjalë, kryetari Spahiu po përfaqëson Komunitetin Mysliman të Shqipërisë duke zhvilluar takime me kryetarë komunitetesh myslimane dhe ministra të çështjeve fetare nga shumë vende të botës.
Veçojmë takimin me Ministrin e Çështjeve Fetare të Egjiptit, Mohamed Mokhtar Xhuma, zëvendësin e Imamit të madh të Al-Az’har, Muhammed Edduvejni, Ministrin e Çështjeve Fetare të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai i RMV e përfaqësues të tjerë nga vende të ndryshme të botës.
Gjatë këtij aktiviteti, z. Spahiu shoqërohet nga këshilltari i tij për marrëdhëniet me vendet arabe, z. Jamal al-Safarti.
p.s- [1] (Ixhtihadi : gjykimi i pavarur për një çështje të caktuar