Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori pjese në konferencën kombëtare, me temë: “Besimet fetare kundër trafikimit të Qenieve Njerëzore”.
Kjo konferencë u organizua nga Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë dhe Caritasi Shqiptar.
Në të morën pjesë krerët e besimeve fetare, përfaqësues të ambasadave të akredituara në Tiranë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të institucineve të shtetit shqiptar.
Më poshtë gjeni fjalën e Kryetarit Spahiu mbajtur në konferencë.
Të nderuar krerë të komuniteteve fetare, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues institucionesh, të pranishëm.
Më lejoni t’ju përgëzoj KNFSH dhe Karitasin shqiptar për këtë konferencë e cila vë theksin te njeriu.
Unë, nuk mund ta nis ndyshe këtë fjalë timen veçse duke cituar kumtesën e fundit publike të Profetit Muhamed a.s., Hutben e Lamtumirës, ku Ai (a.s.) iu drejtohet besimtarëve dhe mbarë njerëzimit: -O njerëz, ruani, respektoni dhe nderoni vlerën e personalitetit dhe të dinjitetit njerëzor.
Njeriu është vepër madhështore e Zotit dhe mjerë për atë, që e përçmon nderin dhe dinjitetin e veprës së Zotit.
Ne, sot, jemi mbledhur këtu për të folur për një nga cënimet më të mëdha të dinjitetit njerëzore, trafikimin e qënieve njerëzore.
Zoti i gjithësisë e ka caktuar njeriun mëkëmbës në tokë.
Njeriu është krijesa më e privilegjuar në këtë hapësirë dhe kohë, brenda shkallës tonë të njohjes.
Por, paralajmërimi është i qartë, -mjerë ata të cilët e nëpërkëmbin krijesën e Zotit.
Motra dhe vëllezër, trafiku i qënieve njerëzore është një fenomen tepër i lashtë.
Forma, rrugët, metodat mund të ndryshojnë në kohëra dhe kushte sociale të ndryshme, por thelbi është shfrytëzimi, përdorimi, nëpërkëmbja e njeriut.
Feja, përveç orientimit drejt hyjnores, luan rol edukues dhe moral në shoqëri, gjithmonë ka vend për përmirësim, por ne përpiqemi maksimalisht ta luajmë këtë rol.
Lufta ndaj trafikut të qënieve njerëzore është një çështje e cila ka nevojë për një bashkëpunim të gjerë midis aktorësh dhe grupesh të ndryshme multidisiplinare në shoqëri.
Ne e njohim mirë këtë fenomen, tranzicioni ynë ka qenë i dhimbshëm, veçanërisht në këtë aspekt.
Çdokush mund të bëhet viktimë trafikimi – gra, burra dhe fëmijë; njerëz të të gjitha moshave dhe statuseve sociale.
Kjo gjë ndodhi në mënyrë masive në fillimet e tranzicionit tonë.
Është bërë një punë e madhe nga instucionet fetare, shtetërore dhe shoqësia civile në vend këto dy dekadat e fundit.
Por, “është bërë punë e mirë” është vetëm inkurajim, jo destinacion, kur vjen fjala te trafiku i qënieve njerëzore.
Është një fenomen që do vigjilencë dhe bashkëpunim permanent.
Sipas Konventës, një viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore është një person i cili është transportuar, rekrutuar, transferuar, strehuar ose marrë brenda një shteti ose përtej kufijve të një shteti, me anë të përdorimit të kërcënimit, mashtrimit, detyrimit, ose nëpërmjet formave të tjera të paligjshme, për qëllim shfrytëzimi.
Kategoritë më vulnerabël janë fëmijët dhe gratë. Gjymtimi dhe përdorimi për lypje, trafikimi për organe dhe trafikimi për prostitucion.
I përmenda këto kategori jo se janë të vetmet, por se janë më të pambrojturat, dhe se një nga elementët më të rëndësishëm në këtë luftë është identifikimi.
Komunitetet fetare nuk kanë mekanizma të tjera përveç edukimit dhe bashkëpunimit ndër-institucional për të luftuar këtë fenomen.
Gjithësesi ndihma jonë konsiston në ndërgjegjësimin e besimtarëve, këshillimin, nxitjen e ndjenjave të përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë për të luftuar fenomene të tilla.
Trafikimi i qënieve njerëzore është skllavëri e kohëve moderne dhe prek çdo vend, qoftë si destinacion, qoftë si tranzit. Siç kemi parë vitet e fundit me emigrantët nga Siria.
Pavarësisht nga përpjekjet e shtuara nga strukturat, organizatat qeveritare dhe shoqëritë civile për të luftuar fenomenin, trafikimi vazhdon të jetë realitet për shumë qytetarë shqiptarë, fëmijë, vajza të reja dhe të rinj në veçanti.
Trafikimi i qenieve njerëzore i tejkalon kufinjtë e një krimi, trafikimi është një krim me pasoja afatgjatë në psikologjinë e qënieve të trafikuara.
Ne duhet të veprojmë të bashkuar në këtë luftë.
Është një luftë që na bashkon të gjithëve, si fetë, shoqërinë civile dhe organet ligjzbatuese.
Ky fenomen ndërron formë vazhdimisht, por thelbi është gjithmonë i njëjtë, cënim i dinjitetit njerëzorë.
Ne jemi përgjegjës përpara Zotit për veprimet dhe mos veprimet tona, por edhe përpara ligjeve të kësaj bote po ashtu jemi përgjegjegjës.
”Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur”, thotë Zoti në Kuran, Surja Tin.
E kemi detyrë mbi detyra këtë luftë për të ruajtur paqen sociale, për humanizëm, për të shpetuar jetë njerëzore.
Më lejoni që në mbyllje të fjalës time t’i kujtoj vetes dhe secilit se, një fëmijë i trafikuar është dhimbje dhe përgjegjësi e të gjithëve, një vajzë apo grua e trafikuar është dhimbje dhe përgjegjësi e të gjithëve, çdo qënie njerëzore e trafikuar është dhimbje dhe përgjegjësi e të gjithëve, andaj duhet të bashkojmë forcat ta luftojme së bashku.
Askush nuk është i tepërt në këtë luftë.
Asnjë shoqëri nuk është imune ndaj këtij fenomeni, aq më pak vende si ne.
I lutem Zotit të gjithësisë të na forcojë në këtë luftë të përbashkët.